Shqipëria vlerësohet nga ICAO për sistemin e mbikëqyrjes së sigurisë ajrore

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) ka vlerësuar lart përkushtimin dhe arritjet e Aviacionit Civil Shqiptar duke i dhënë Shqipërisë Certifikatën e Presidentit të Këshillit të ICAO, një njohje e rëndësishme për sistemin e fortë të mbikëqyrjes së sigurisë ajrore dhe angazhimin e pandërprerë ndaj standardeve ndërkombëtare.

Lajmin e bëri të ditur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi këtë si një moment krenarie për Shqipërinë dhe aviacionin tonë civil.

“Ky vlerësim tregon se Aviacioni Civil Shqiptar ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, më i sigurt, më modern dhe më i orientuar drejt të ardhmes”, shkruan MIE.

Më tej MIE nënvizoi se “po punojmë çdo ditë për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e performancës dhe shërbimeve, si dhe modernizimin e infrastrukturës përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

MIE e përmbylli reagimin duke theksuar se “me objektiva të qarta dhe projekte ambicioze, qeveria shqiptare është e vendosur të çojë këtë sektor drejt një tjetër niveli zhvillimi në shërbim të qytetarëve, ekonomisë dhe një Shqipërie gjithmonë e më të lidhur me botën”.

Shqipëria vlerësohet nga ICAO për sistemin e mbikëqyrjes