Basha: Emri im është tërhequr nga bashkautorësia në punimin ku flitet për UÇK-në

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka njoftuar se ka kërkuar nga revista në të cilën është publikuar punimi ku ai figuron bashkautor në punimin ku flitet për lidhje të pretenduara të UÇK-së me banda kriminale.

Basha përmes një postimi në Facebook tha se tashmë emri i tij është larguar nga bashkë-autorësia bashkë me kapitullin 3 për të cilin ai pranoi se kishte shkruar për islamin fundamentalist në Kosovë.

Ai sqaroi edhe njëherë se nuk kishte autorësi në fjalët ku përmendet UÇK përveç kapitullit 3 ku përmendet islami në Kosovë, për të cilin njoftoi se ky kapitull është tërhequr plotësisht nga punimi.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Dua t’ju informoj se me t’u vënë në dijeni që një punim i imi nga studimet para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull i veçantë në kuadër të një publikimi më të gjerë, në të cilin gabimisht isha listuar si bashkë-autor, unë kam bërë kërkesë tek Revista në fjalë që pjesa që kam kontribuar unë, pra Kapitulli 3, të hiqet tërësisht nga ai publikim!

Komiteti i Publikimeve i Revistës në fjalë sot më ka njoftuar që ka miratuar kërkesën time për tërheqjen e Kapitullit 3 nga publikimi, dhe gjithashtu ka hequr edhe emrin tim nga autorësia, meqenëse unë nuk kam autorësi në pjesën tjetër të publikimit, përveç Kapitullit 3 i cili tashmë është tërhequr.