Dy vjet nga sulmi në Banjskë në veri të Kosovës

Manastiri i Banjskës, që dy vjet më parë u shfrytëzua si strehë nga terroristë serbë, sot pothuajse është i zbrazët.

Jo vetëm në këtë objekt kulti, por lëvizje të pakta vëren në të gjithë fshatin.

Patrullimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës vazhdojnë edhe sot, e të pranishëm janë edhe pranë objekteve të cilat i mori në pronësi shteti.

Në fshatin Banjskë të jetuar nga popullata serbe, u tentua të sulmohet shtetësia e vendit nga terroristë serbë.

Pak pas mesnatës së 24 shtatorit të para dy vitesh, Policia e Kosovës nisi forcën e parë të reagimit drejt urës në këtë fshat. Kjo rezultoi me vrasje e plagosje të policëve.
Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulm, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.

“Afrim Bunjaku” është emërtimi që mori një vit më parë rruga ku ra në krye të detyrës heroi më i ri i shtetit të Kosovës.

Në fshatin rreth 18 kilometra nga Mitrovica, krismat u dëgjuan pothuajse deri në mesditë. Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes këtyre rrugëve malore.

Rade Markoviq prej rreth 70 vjetësh jeton në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ai kujton krismat që kishte dëgjuar në orët e para të së dielës së 24 shtatorit.

“U shqetësuam të gjithë, e gjithë familja u shqetësua, nuk e dinim çfarë janë të shtënat, për tre orë nuk shihej asgjë, të shtënat dëgjoheshin kudo, as nuk e dije ku je, as nuk e dije çfarë janë apo si. Unë dola këtu, shumë ushtarë, këtu, atje, më thanë ‘hesht’, ‘mos dil jashtë’, ‘ik në shtëpi’, dhe unë fjeta në shtëpi dhe nuk dola deri në orën 10:00 të mëngjesit… Kishte të shtëna deri në orën 6:00 të mëngjesit”, rrëfen Markoviq.

Fshati Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës sot po konsiderohet i qetë edhe për vetë banorët.

“Është më mirë kur gjithçka është në rregull, kur njerëzit bien dakord kur respektojnë njëri-tjetrin… Epo, kryesisht gjithçka është në rregull, pa probleme… Do të jetë mirë. Unë jam optimist në jetë, optimist… Situata është në rregull, është mirë, është e qetë, nuk ka probleme”, deklaron ai.

Situata në veri të vendit tashmë është më e qetë thonë banorë edhe në njërën e tjetrën anë të urës së Ibrit.

Agron Kavaja, i cili jeton për më shumë se dy dekada në Mitrovicë, konsideron se dallimi është i madh prej asaj çfarë kishte ngjarë dy vjet më parë.

“Kush dëshiron të vërejë dallimin, e vëren, kush nuk dëshiron, ata në Prishtinë ata kolegët e juaj nuk po duan të vërejnë… Unë po ju tregoj që edhe në vitin 1999 kam qenë në pjesën veriore, e di se si ka qenë, e di si është tash… Shumë dallim i madh është, kush dëshiron ta vërej”, shprehet ai.
Edhe Shefqet Veliu thotë se lëvizjet e shëtitjet në drejtim të sheshit në veri të Mitrovicës i ka të shpeshta.

“Tash siguri ka më shumë, tash është edhe më mirë situata e sigurisë edhe më mirë është se përpara… Kur shëtitësh, del, nuk ka kurrfarë pengese, nuk del askush të të pengojë. Është liri ka të duash të kalosh dhe të ecësh… Para dy vitesh, por edhe para më shumë vitesh ka qenë pak më problem se nuk ke mundur të shkosh këndej shlirë”, shprehet ai.

Ndërkaq, për Xhavit Grabovcin nga Gjermania kjo është hera e dytë që e viziton Mitrovicën.

“Sigurisht është më lehtë, është më lirë, njerëzit enden për nevoja të veta… sigurisht ka qarkullime, që punojnë njerëzit në atë anë e në këtë anë… Para luftës nuk kam qenë këndej asnjëherë, nuk e di si ka qenë, si ka shkuar, paslufte e dyta herë që po vij që është lëshuar kjo rrugë”, thekson ai.

Grupi prej rreth 50 personave që udhëhiqej nga kryeterroristi, Milan Radoiçiq – i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje, me veshje ushtarake ishte vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij.

Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.

Pjesë e njësisë që u sulmua nga terroristët serbë, ishte zyrtari policor Alban Rashiti.

Mbrojtja e tij, avokati Naim Rudari thotë se ai në ditën kritike u plagos së bashku me rreshterin e vrarë, Afrim Bunjaku.

“Unë përfaqësoj zyrtarin Alban Rashiti, i cili është plagosur ditën kritike së bashku me të ndjerin Afrim Bunjaku. Fatbardhësisht ka shpëtuar por është në gjendje të rëndë psiqike, ai ka qenë së bashku me zyrtarin tjetër policor, kolegun e tij Çlirimin, ku të dy kanë pësuar lëndime. Gjithë zyrtarët policor kanë pësuar lëndime. Në këtë rast madje lëndime psiqike, por si do që të jetë jemi duke u munduar që të jemi zëri i tyre dhe të përcjellim seancat, sepse ata kanë përjetuar jashtë zakonisht rëndë këtë ngjarje”, deklaron ai për KosovaPress.

Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës. Seancat e radhës pritet të mbahen më 20, 21 dhe 27 tetor, ku do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.
Terroristët serbë prapa vetës lanë shumë dëshmi e gjurmë… përfshirë video-incizime të dronëve, komunikime të telefonave mes anëtarëve të grupit terrorist, kamera të sigurisë, fotografi e qindra dokumente.

“Prej këtij procesi presim që dëshmitarët të vijnë dhe të dëshmojnë atë çfarë kanë parë dhe çfarë kanë dëgjuar, prokuroria dhe gjykata të jenë paksa më të kujdesshme që dëshmitarët të mos lejohen të dëshmojnë rrejshëm siç ka ndodhur deri më tani. Dhe, përfundimisht presim që gjykata të akuzuarve që tani janë duke u gjykuar tua shqiptojë dënimin e merituar e që besojmë se nuk do të jetë më pak se burgim i përjetshëm. Meqë kemi pritur se lidhur me këtë çështje të fillojë edhe gjykimi në mungesë ndaj atyre që janë në arrati e sidomos për kryeterroristin Milan Radoiçiq por deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje në drejtim të gjykimit të tij e që sipas asaj që tani po shpaloset në gjykim, po kuptohet që pothuajse në pjesën veriore të Mitrovicës kanë qenë të përfshirë e gjithë mbrojtja civile, por edhe qytetarët përreth në ndihmë të atyre që u përgatiten për kohë të gjatë për tu futur dhe për të kryer akte siç ata kanë planifikuar dhe kanë menduar që do ta fusin e aneksojnë një pjesë të territorit të Kosovës”, deklaron ai.

11 dëshmi janë dëgjuar deri më tani në rastin ndaj 45 të akuzuarve për sulmin në Banjskë.

Avokati Naim Rudari ka parashtruar kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve që sipas tij kanë dëshmuar rrejshëm dhe pronarit e drejtorit të “Rajnska Banja”, i cili ndodhet në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi. Sipas tij, ata kanë ndihmuar grupin terrorist dhe kanë urdhëruar personelin që t’i strehojnë pjesëtarët e grupit terrorist.

“Ka dëshmitarë që kanë qenë brenda për brenda grupit terrorist, e që tani ata kanë dëshmuar në polici, kanë dëshmuar në prokurori. Ndërsa, tani në shqyrtimin gjyqësor ata po ndryshojnë deklaratat e tyre me të vetmin qëllim për t’i mbrojtur ata të cilëve paraprakisht edhe ju kishin dhënë ndihmë gjatë sulmit në Banjska. Ata dihet që në Rajnska Banja kanë deklaruar vetë dëshmitarët që u kanë dhënë ndihmë, i kanë strehuar madje u kanë mundësuar që të ndërrojnë edhe uniformat në rroba civile dhe të ikin. Kështu që tani ata dëshmitarë e kanë ndërruar deklarimin e tyre dhe se ne besojmë që ata dinë shumë më shumë lidhur me këtë grup kriminal por ata kanë zgjedhur që të mos dëshmojnë. Ne jemi detyruar që të parashtrojmë kallëzim penal në drejtim të shumë veprave penale ndaj atyre dëshmitarëve dhe shumë personave të tjerë që kanë ndihmuar grupin terrorist, por deri më tani nuk kemi asnjë njohuri që Prokuroria ka filluar hetimin së paku ndaj atyre personave”, shton ai.
Një ditë pas përfundimit të operacionit, policia kishte ekspozuar krejt çfarë gjeti në Banjskë, përfshirë artileri të rënda, automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granat-hedhës, radio-marrës dhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.

Në dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku, sot krerët e shtetit e përfaqësues tjerë të institucioneve do të bëjnë homazhe pranë varrit të tij. Po ashtu, do të organizohet edhe akademi përkujtimore. /Kosovapress/