Autoriteti Palestinez përshëndet vendimin e Francës për njohjen e shtetit palestnez
Autoriteti Palestinez përshëndeti sot në mbrëmje njoftimin zyrtar nga presidenti francez, Emmanuel Macron për njohjen e shtetit të Palestinës nga Franca duke e quajtur atë një vendim “historik dhe të guximshëm”.
Ministria Palestineze e Punëve të Jashtme përshëndeti në një deklaratë “njohjen nga Republika mike e Francës të shtetit të Palestinës dhe e konsideron atë një vendim historik dhe të guximshëm në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, duke mbështetur kështu përpjekjet për të arritur paqen dhe për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete”.
Ministria gjithashtu vlerësoi “rolin pionier të luajtur nga Franca dhe presidenti Macron në nxitjen e shumë shteteve” për të vazhduar me të njëjtën njohje.
Franca njohu sot shtetin e Palestinës.
“Franca njeh sot shtetin e Palestinës për paqen midis popullit izraelit dhe palestinez”, deklaroi solemnisht Emmanuel Macron në Kombet e Bashkuara.
“Ka ardhur koha”, deklaroi presidenti francez në një fjalim të shumëpritur në Nju Jork, ”mbi zgjidhjen me dy shtete”. ”Unë i mbetem besnik angazhimit historik të Francës në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.
“Prandaj ne mbajmë një përgjegjësi historike. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ruajtur vetë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete, me Izraelin dhe Palestinën që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, tha Macron.
