Paditet në SPAK nga Nesti Angoni/ Reagon Albana Vokshi: Nuk më trembin letrat anonime...
Personazhi anonim i njohur si “Nesti Angoni”, i cili më parë kishte denoncuar dhe çuar në burg Erion Veliajn, është rikthyer në skenë me një kallëzim të ri.
Këtë herë, denoncimi i tij është drejtuar ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi, duke përfshirë pretendime për korrupsion dhe pastrim parash.
Pas këtij lajmi, Vokshi reagoi përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se nuk do të heshtë përballë letrave anonime dhe akuzave.
Postimi:
Nëse mendojnë se do të më mbyllin gojën me shpifje e letra anonime, gabohen!
Nëse mendojnë se do të më trembin me SPAK-un, gabohen!
Unë nuk hesht. Unë nuk dorëzohem. Do të flas edhe më fort! Kundër korrupsionit.
Kundër padrejtësive.
Kundër abuzimit me pushtetin.
Ata, që këtë herë nuk guxuan as të dalin hapur, duhet ta mësojmë: Sa më shumë të më sulmojnë, aq më fort do të më dëgjojnë! As paraja, as Rama nuk i shpëton dot nga e vërteta!
Padia e Nesti Angonit:
Personazhi anonim me emrin Nesti Angoni, që futi në burg Erion Veliajn është rikthyer në skenë. Pas disa muajsh në qetësi, ‘Nesti Angoni’ ka bërë denoncimin e rradhës, që këtë herë është nga Opozita.
Angoni ka depozituar në SPAK një denoncim ndaj deputetes së PD-së Albana Vokshi.
Sipas Report TV, denoncimi është depozituar ditët e para të shtatorit, për korrupsion dhe pastrimin e parave të fituara nga kjo veprimtari e jashtëligjshme
Kallëzimi me objekt deputeten Vokshi, bashkëjetuesin e saj Arian Tartarin, si dhe motrën Mimoza Vokshi, përmban disa raste të dyshuara korrupsioni. Në këtë kallëzim denoncohen abuzime me koncesionet në sektorin e naftës, por edhe me disa privatizime të kryera në interes të të kallëzuarve, në kohën kur Drejtoreshë e Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë ishte Mimoza Vokshi.

