“SHKARKOHET VELIAJ”/ Pano: Tirana nuk mund të rrënohej më tej nga një sekt që e kishte kapur Bashkinë

Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano, i ftuar në intervistën e mesditës në Syri TV ka komentuar vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt, duke kujtuar se opozita ka 4 muaj që e kishte depozituar kërkesën për largimin e tij nga detyra.

Pano theksoi se vonesat e mazhorancës dhe hezitimi i qeverisë ishin një pengesë e qëllimshme për të mbajtur peng Bashkinë e Tiranës, ndërsa theksoi se qyteti nuk mund të drejtohej më nga një kryetar që kishte braktisur detyrën.

“Ne kemi pritur prej muajsh që kjo kërkesë të diskutohej dhe të merrte zgjidhje. Tirana nuk mund të rrenohej më tej nga një sekt që e kishte kapur Bashkinë, ndaj ky shkarkim është një hap i vonuar, por i domosdoshëm”, u shpreh Pano.

Ai shtoi se opozita do të vazhdojë betejën për ta çliruar kryeqytetin nga keqqeverisja.

Jonathan Pano: "Mënyra se si funksionon Këshilli Bashkiak, do të thotë që ky i fundit nuk e ka autoritetin për të shkarkuar një kryetar, por së pari duhet të kalojë në një diskutim për situatën, më pas duhet bërë propozim për Këshillin e Ministrave, dhe këta së bashku me Kryeministrin të kryejnë shkarkimin.

Na u bënë 4 muaj që presim. Që në datën 9 maj të 2025 kemi depozituar kërkesën tonë, madje dy ditë përpara se të ishin zgjedhjet u bë kjo kërkesë dhe duhej futur në rend diskutimi kjo kërkesë për shkarkimin e kryetarit Veliaj dhe nuk u mor parasysh.

Pyetja që ne kemi natyrisht është: Përse keni frikë nga fjala e lirë? Hajdeni dhe ta diskutojmë dhe fakti që ka 3 muaj që nuk paraqitet në detyrë. Ne kemi nevojë t’i japim një zgjidhje konkrete Bashkisë së Tiranës.

Ne kemi bërë një aksion politik, natyrisht 44 javë përpara bashkisë kemi realizuar protesta ku kemi ngritur zërin ndaj keqqeverisjes së këtij kryeqyteti dhe duke parë se si Tirana vazhdon të rrënohet, nuk mund ta lejonim kryetarin që të vazhdonte me punët e tij.

Edhe pse kërkesa jonë u pranua, ne kemi nevojë për çlirimin përfundimtar të bashkisë nga ky sekt që e ka kapur bashkinë që quhet Rilindje.

Një gjë që më bëri përshtypje është si nuk doli një besnik i Erion Veliaj, e këtë e them me sinqeritet.

Në këto 4 muaj që bëjmë diskutime dhe themi se kemi nevojë për t’i dhënë zgjidhje konkrete bashkisë nëpër komisione, e kemi ngritur si pyetje: Ore, mungesa e Erionit a ka një ndikim në punët e bashkisë së Tiranës? Nuk po themi se ai bënte qeverisje të mirë, por e shtrojmë pyetjen se mungesa e një kryetari a ka ndikim në bashki?

Edi Rama i cili po përpiqet të bëhet lideri i Bashkisë së Tiranës duke u përpjekur të bëhet lider suprem i të gjitha pushteteve".