Spiropali bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Estonisë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me homologun e saj estonez, Margus Tsahkna.

Ky i fundit i përcolli Spiropalit urimet e tij për emërimin në detyrën e re të Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.

Ministri i Jashtëm i Estonisë njoftoi në rrjetin social X se me Spiropalin diskutoi “mbi shkeljen e rëndë të hapësirës ajrore nga Rusia dhe nevojën për konsultime të Nenit 4 me NATO-n”.

“Një bisedë e shkëlqyer e parë me homologen time, Elisa Spiropali, të cilën e përgëzova për emërimin e saj si Ministre e Jashtme e Shqipërisë. Diskutuam shkeljen e rëndë të hapësirës ajrore nga Rusia dhe nevojën për konsultime të Nenit 4 me NATO-n”, shkroi Margus Tsahkna në postim.

“Estonia dhe Shqipëria janë partnerë dhe aleatë të mirë. Presim me padurim thellimin e bashkëpunimit tonë”, theksoi ai.

Nga ana saj Spiropali u shpreh se Shqipëria mbështet Estoninë në kërkesën për të diskutuar aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s dhe mbrojtjen kolektive pas shkeljes së hapësirës ajrore nga Rusia.

"Shqipëria riafirmon solidaritetin e plotë me Estoninë përballë shkeljes së fundit të hapësirës ajrore nga Rusia dhe mbështet plotësisht kërkesën e Estonisë ???????? për konsultime sipas Nenit 4 me @NATO. Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes vendeve tona në shërbim të sigurisë së përbashkët dhe vizionit tonë për Europën", shprehet ministrja Elisa Spiropali.