Britania e Madhe shqyrton huadhënie nga asetet e ngrira për Ukrainën

Kancelarja britanike, Rachel Reeves, do të shpallë planet për të shqyrtuar përdorimin e aseteve ruse të ngrira për të financuar një “huadhënie dëmshpërblimi” që mund të ofrojë miliarda paund për përpjekjet e Ukrainës në luftë, sipas AP.

Kancelarja pritet ta bëjë njoftimin gjatë një takimi sot në mbrëmje me homologët e saj evropianë në Kopenhagë  duke thënë se është “e drejtë të shqyrtohen të gjitha opsionet për të mbështetur Ukrainën”.

Kjo vjen pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e kaluar sugjeroi dhënien e një huaje për Ukrainën e mbështetur nga “bilancet e parave” të lidhura me asetet ruse të ngrira nga Bashkimi Evropian.

Ajo nuk dha detaje se si do të funksiononte, por kjo lëvizje do t’i lejonte BE-së të përdorte asetet ruse për të financuar Ukrainën pa i konfiskuar menjëherë, gjë që disa vende frikësohen se do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

Zyrtarët e Thesarit gjithashtu refuzuan të diskutonin mekanizmat që Britania er Madhe  do të konsideronte, por thanë se ata do të zhvilloheshin në bashkëpunim me BE-në dhe do të përputheshin me ligjin ndërkombëtar.

“Ndërsa Rusia nuk ka respekt për ligjin ndërkombëtar, Britania e ka”, tha  Reves.  “Ne do të marrim në konsideratë vetëm opsione që janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe që janë ekonomikisht dhe financiarisht të përgjegjshme.”

Në mars, Britania njoftoi se do të siguronte një hua prej 2.26 miliardë paundësh (3 miliardë dollarë) për Ukrainën, bazuar në fitimet e gjeneruara nga asetet ruse të ngrira.

Por qeveria është nxitur të shkojë më tej, me Liberal Demokratët që kërkuan nga ministrat të sekuestronin asetet menjëherë dhe t’i përdornin për të mbështetur Ukrainën.