Rusia organizon festivalin e saj sipas stilit të Eurovision-it/ Asnjë vend nga Evropa s'do të përfaqësohet
Artistë nga 23 vende do të performojnë në konkursin rus të këngëve, të quajtur Intervision, një ngjarje e ringjallur e epokës sovjetike. Shfaqja synon të promovojë "vlerat tradicionale familjare", deklaron Moska.
Sot në mbrëmje është edhe finalja. Intervision është një konkurs i kohës sovjetike, i rilançuar nga Presidenti Vladimir Putin si një përgjigje konservatore ndaj Konkursit të Këngës Eurovision të Perëndimit, i cili është i mbushur me shkëlqim, liberal dhe miqësor ndaj komunitetit Queer.
Artistëve rusë u është ndaluar pjesëmarrja në Eurovision që kur Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Po ç’është Intervision dhe çfarë përmban ky organizim?
Moska thotë se konkursi synon të nxisë "identitetin kombëtar" dhe "vlerat tradicionale".
Nuk do të ketë "perversione dhe tallje të natyrës njerëzore", tha ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, në një vërejtje që me sa duket synonte qëndrimin pro komunitetit LGBTQ+ nga Eurovision. Komuniteti Queer në Rusi është përballur me persekutim vitet e fundit.
Midis 23 vendeve që marrin pjesë në këtë ngjarje pranë Moskës nuk janë vetëm ish-republikat sovjetike si Bjellorusia, Kazakistani dhe Uzbekistani, por edhe partnerët e Rusisë në BRICS, Brazili, Kina dhe India.
Artistët do të konkurrojnë për një çmim parash prej 30 milionë rublash (306,000 €; 360,000 dollarë), me organizatorët që shpresojnë se më shumë se një miliard njerëz do të ndjekin mbrëmjen gala nga televizori.
Rusia do të përfaqësohet nga këngëtari ultranacionalist Yaroslav Dronov, i njohur ndryshe si Shaman, i cili do të interpretojë këngën "Straight to the Heart".
Në qendër të vëmendjes është gjeopolitika
Përveç Serbisë dhe Bjellorusisë, asnjë vend nga Europa nuk do të përfaqësohet në konkurs dhe ky është një ilustrim i ngrirjes së marrëdhënieve euro-ruse për shkak të luftës në Ukrainë.
Por ndryshe nga partnerët e saj në Europë, Shtetet e Bashkuara nuk janë shmangur nga eventi i mbështetur nga Kremlini.
Këngëtarja e lindur në Australi, Vassy, do të ngjitet në skenë për SHBA-në, e cila do të përfaqësohet gjithashtu në juri nga këngëtari i Rock-ut, Joe Lynn Turner.

