CARDI B RIKTHEHET FUQISHËM/ Albumi i ri, i ndërtuar mbi plagë personale! Kritika mes lavdërimeve dhe pikëpyetjeve

Pas shtatë vitesh heshtje, reperja amerikane Cardi B ka publikuar një album të ri, i cili shënon një rikthim të fuqishëm në industrinë muzikore. Projekti trajton hapur ndarjen e saj me Offset dhe rivalitetin me reperen Bia.

Cardi B është rikthyer fuqishëm në skenën muzikore me albumin e saj të ri, pas një pritjeje shtatëvjeçare që ka mbajtur të pezulluar fansat.

Ky projekt, i ngarkuar me energji dhe emocione, vendos në qendër divorcin e saj nga reperi Offset, duke e shndërruar dhimbjen dhe vetëreflektimin në material artistik.

Në disa nga këngët, Cardi pranon plagët e një dashurie të thyer, duke e shoqëruar me vargje të drejtpërdrejta për tradhtinë, fajin dhe faljen.

Në një prej tyre, ajo rrëfen: “gabova përsëri, por të pranova përsëri, isha budallaqe”, ndërsa në një tjetër thekson se ndarja i hapi rrugë pasionit për muzikën: “E vura muzikën në vend të parë.”

Por albumi nuk është vetëm një reflektim personal. Një pjesë e madhe i kushtohet rivalitetit me reperen Bia, ku Cardi B nuk kursehet me vargje thumbuese dhe ironike.

Ajo e akuzon kolegen se karriera e saj është “melatoninë që na vë në gjumë”, ndërsa sfidon publikun të përmendë pesë këngë të saj, duke kritikuar kompanitë diskografike për reklamën e tepruar që sipas saj nuk mbështetet nga suksesi real.

Albumi është pritur me bujë në media. Rolling Stone e cilësoi si një “kthim mbretëror”, ndërsa The Guardian vlerësoi energjinë e egër dhe tekstet e mprehta.

Nga ana tjetër, disa kritikë ngrejnë pikëpyetje mbi gjatësinë prej mbi 70 minutash, duke e parë si të stërzgjatur për standardet e tregut. Megjithatë, titulli i albumit, “A jam unë Drama?”, duket të jetë më shumë se një pyetje retorike: është një deklaratë e qartë se Cardi B mbetet një forcë e pamposhtur në industrinë e muzikës.