RAUNDI I DYTË NË UNIVERSITETE/ Maturantët që nuk kanë zgjedhur ende, kanë një tjetër mundësi
Nga data 20 deri më 22 shtator, maturantët që nuk kanë zgjedhur ende një degë do të kenë një tjetër mundësi për të garuar për një vend në universitet, në raundin e dytë të regjistrimeve.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, ka dhënë detaje mbi këtë fazë të rëndësishme të procesit të pranimeve.
Sipas Xhelajt, kuotat dhe ofertat akademike janë riformatuar në përputhje me numrin e aplikantëve që kanë plotësuar formularin A1Z në muajin janar.
Ndërkohë, një interes të lartë nga aplikantët ka pasur për Shkollën e Policisë dhe Akademinë Ushtarake.
Procesi pritet të përmbyllet brenda pak ditësh, dhe më pas do të pasojë raundi i tretë për vendet e mbetura bosh.
Sakaq, institucionet universitare po vijojnë përgatitjet për fazat e tjera të regjistrimeve, përpara nisjes së vitit të ri akademik.

