Sejko takohet me Štunf: Integrimi në SEPA dhe stabiliteti financiar forcojnë besimin e investitorëve
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim zyrtar me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Jakob Štunf.
Guvernatori Sejko gjatë takimit vlerësoi marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike dhe financiare.
Gjatë takimit, Guvernatori e informoi ambasadorin për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se vendi po përjeton rritje të qëndrueshme ekonomike, stabilitet të çmimeve dhe tregje financiare të qëndrueshme. Ai vuri në dukje se politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar në krijimin e kushteve të favorshme për stabilitetin e çmimeve dhe zhvillimin ekonomik.
Në këtë kontekst, Sejko solli në vëmendje edhe vlerësimet pozitive të agjencive ndërkombëtare të kreditit si Moody’s dhe Standard & Poor’s, të cilat kanë ulur rrezikun e borxhit të Shqipërisë, duke i hapur rrugën financimeve më të lira dhe duke forcuar besimin e investitorëve ndërkombëtarë.
Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte modernizimi i sistemit të pagesave, me theks të veçantë në anëtarësimin e Shqipërisë në zonën SEPA, që hyn në fuqi më 7 tetor.

“Kjo nismë do të lehtësojë ndjeshëm pagesat ndërkombëtare në euro, duke ulur kostot dhe duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset”, tha Sejko.
Ambasadori Štunf përgëzoi përparimin ekonomik të Shqipërisë dhe vlerësoi kontributin e Bankës së Shqipërisë në stabilitetin financiar. Ai theksoi se Shqipëria po shndërrohet në një destinacion tërheqës për investime dhe turizëm, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin rajonal dhe duke e afruar vendin më shumë me Bashkimin Evropian.
Të dy palët ndanë gjithashtu vlerësime pozitive për bashkëpunimin në kuadër të Qendrës së Ekselencës në Financë (CEF) me seli në Lubjanë, një organizatë e rëndësishme rajonale në fushën e edukimit financiar, ku Banka e Shqipërisë ka dhënë kontribut të vazhdueshëm si anëtare për më shumë se 20 vite.
Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko dhe ambasadori Štunf theksuan angazhimin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe përkrahjen e përbashkët të proceseve integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

