VIDEO/ Leskoviku tërheq vizitorë pothuajse në çdo stinë: Turistët vijnë për verën dhe natyrën
Çdo vit e më tepër Kolonja me natyrën e saj të bukur po tërheq vizitorë vendas dhe të huaj pothuajse në çdo stinë të vitit. Falë edhe rrugëve lidhëse të investuara vitet e fundit, numri i atyre që e preferojnë ka njohur rritje.
Jo vetëm por zona ka njohur investime të shpejta edhe në ngritjen e njësive akomoduese në hotele dhe bujtina të cilat deklarojnë se prenotimet janë në nivele të kënaqshme.
"Kujtoj një moment të thjeshtë, por shumë domethënës: një qytetar që po shkarkonte arka me birra më ofroi një birrë. Ky gjest i vogël tregoi mikpritjen dhe ngrohtësinë e vendasve. Vura re edhe praninë e policisë, e cila ishte gjithmonë aty duke monitoruar situatën dhe duke siguruar rendin, gjë që më dha ndjesinë e sigurisë dhe më bëri të kuptoj se vendi është i organizuar dhe i kujdesshëm me vizitorët. Ndihem shumë mirë këtu dhe Shqipëria po më pëlqen shumë"
Zona Kolonjë-Leskovik përveçse natyrës së bukur, ajrit të pastër dhe mikpritjes ka element mjaft të veçantë edhe prodhimet lokale. Vera artizanale dhe jo vetëm po tërheq gjithmonë e më shumë vizitorët të cilët kërkojnë gjithmonë e më shumë prodhim vendas.
Për Joseph Darrel, specialist verërash dhe një nga promotorët kryesorë të kësaj pije, zona ka prodhim rrushi shumë të mirë e për pasojë prodhon verë cilësore, sipas tij duhet që edhe shtetit të japë mbështetje të vazhdueshme për prodhuesit lokalë për të rritur prodhimin dhe promovimin.
"Kam provuar verërat e prodhuara këtu, madje disa varietete për herë të parë, dhe është e qartë që ky është një rajon ideal për rritjen e rrushit. Potenciali për më shumë vreshta dhe për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës së verës është i madh.
Unë besoj se duhet të ketë një sinergji mes verë-bërësve dhe mbështetjes së qeverisë, sepse ju keni një produkt të mrekullueshëm. Është një produkt që mund të jetë kartëvizita juaj, një simbol i bukurisë dhe një përfaqësim i kulturës suaj.
Përveç kësaj, duhet të ketë më shumë mbështetje në fushën e edukimit mbi verën. Jo vetëm kaq, por mbështetje në të gjitha aspektet,gastronomi, formim për someljerë, dhe sidomos në fushën e vitikulturës.
Shqipëria ka një shumëllojshmëri rrushërash autoktone që nuk i gjeni askund tjetër në Ballkan. Dhe nëse e shohim në këtë këndvështrim, është një pasuri e madhe, që do të vlerësohej dhe shijohej kudo në botë. Për më tepër, ju keni diasporën. Shqiptarët që jetojnë anembanë botës janë përfaqësuesit tuaj dhe mund të ndihmojnë në rritjen e promovimit për verën shqiptare."
Në 5 vitet e fundit zona e Kolonjës, Leskovikut, me fshatrat e bukur e piktoreskë, natyrës së bukur dhe plot ajër pret më shumë se 60 mijë vizitorë në vit dhe ky numër pritet të rritet edhe më shumë në vitet në vazhdim.

