Krizë te Manchester United, Ratcliffe takohet me Rúben Amorim për të shpëtuar sezonin

Manchester United po kalon një periudhë shumë të vështirë dhe presioni mbi trajnerin Rúben Amorim sa vjen e rritet.

Sipas “Daily Mail”, pronari i klubit, Jim Ratcliffe, ka zhvilluar një takim në selinë e klubit me teknikun portugez, për të analizuar situatën pas një fillimi sezoni zhgënjyes.

Që nga mbërritja e tij në nëntor 2024, Amorim nuk ka arritur të ndryshojë rrjedhën negative, madje rezultatet kanë qenë më të dobëta se në periudhën e Ten Hag.

United ka arritur vetëm një fitore në sezonin 2025-2026, ndërsa u eliminua në mënyrë turpëruese nga Carabao Cup nga Grimsby, një skuadër e kategorisë së katërt angleze (League Two).

Investimet e mëdha nuk kanë dhënë rezultat.

Pavarësisht shpenzimeve prej 214 milionë paundësh në merkato, afrimet e reja nuk kanë bindur dhe problemet në sulm e mbrojtje mbeten të dukshme.

Megjithë kritikat dhe presionin, Amorim mbetet i palëkundur në filozofinë e tij të lojës. Pas humbjes 3-0 ndaj Manchester City-t, ai deklaroi:

“E kuptoj kritikat dhe i pranoj… Kur të dua të ndryshoj filozofinë time, do ta bëj. Përndryshe, janë të tjerët që duhet të përshtaten.”

Me një atmosferë gjithnjë e më të tensionuar, United rrezikon një tjetër sezon dështues, nëse nuk gjenden shpejt zgjidhje që të rikthejnë skuadrën në garë për objektivat madhorë.