Hansi Flick: Nuk u habita me Rashford, shënoi dy gola të bukur
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, u shfaq i kënaqur pas fitores së skuadrës së tij në debutimin e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve 2025-2026, ku katalanasit mposhtën Newcastle në “St. James’ Park”.
Fillimi i mbarë për katalanasit erdhi falë dy golave të Marcus Rashford që u kthye me stil në Angli, pas transferimit të kësaj vere.
“Ishte shumë e rëndësishme të fillojmë Ligën e Kampionëve me tre pikë në një stadium kaq të vështirë si ky.
Pamë një paraqitje shumë të mirë nga skuadra.
U thamë lojtarëve se duhej të mbroheshim fort në 15 minutat e para, sepse Newcastle është shumë i rrezikshëm në duelet një kundër një. Mendoj se ishim të mirë gjatë gjithë ndeshjes.
Në pjesën e parë patëm 64% të posedimit të topit, edhe pse bëmë disa gabime të panevojshme”.
Flick nuk e fshehu kënaqësinë për dy golat e shënuar nga Marcus Rashford, por theksoi se talenti i tij nuk është surprizë.
“Shënoi dy gola shumë të bukur. Goditja me kokë ishte e shkëlqyer, por edhe goli i dytë ishte fantastik.
Gjëja më e rëndësishme është që po fiton vetëbesim. Ne po e ndihmojmë dhe nuk jam aspak i befasuar nga paraqitja e tij”, deklaroi Flick.
