Bogdani: Magjistratët me ngarkesë të lartë pune, shkak vakancat në sistem

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani solli sot në vëmendje ngarkesën e lartë që kanë gjyqtarët dhe prokurorët për shkak të vakancave në sistem, ndërsa vlerësoi rëndësinë e llogaridhënies dhe integritetit të magjistratëve.

Bogdani ishte sot e pranishme në takimin e organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me projektin “Matra” të qeverisë së Mbretërisë së Holandës me institucione të drejtësisë për të folur mbi çështje të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit.

Duke folur mbi llogaridhënien e magjistratëve të sistemit gjyqësor, Bogdani u shpreh se “ky është një realitet me të cilin jemi përballur dhe do të vazhdojmë të përballemi në këtë rrugëtim apo realitet të ri që duhet të ndjekim drejt hyrjes në Bashkimin Europian”.

Lidhur me llogaridhënien për punën e prokurorëve, Bogdani kujtoi se sipas mekanizmave kushtetues dhe ligjorë, ata kontrollohen nga gjykatat.

Ndaj, sipas saj, “kërkohet një nivel më i lartë profesionalizmi jo vetëm nga radhët e prokurorëve, por edhe nga radhët e gjyqtarëve”.

Mekanizmi tjetër për të vlerësuar punën e prokurorëve, sipas Bogdanit “është nëpërmjet vlerësimit etik dhe profesional që bën KLP”.

Bogdani theksoi se “deri tani, vitin e fundit, kemi bërë 34 vlerësime. Është një proces që tashmë ka filluar, ndërsa dikur vlerësohej vetëm nga Prokurori i Përgjithshëm. Sot është një këshill i përbërë nga 11 persona që vlerëson punën e magjistratit. Kjo realizohet për dosjet që ai vetë zgjedh të sjellë për drejtësinë, por edhe përmes dosjeve që shqyrtohen rastësisht”.

Sipas saj, “këto janë mekanizmat që këshilli ka në dispozicion për të vlerësuar dhe ndikuar në cilësinë e punës së prokurorëve dhe ndaj kemi një llogaridhënie gjithmonë e më të lartë”.

Lidhur me çështjet e integritetit, Bogdani nënvizoi se “ndryshimi i madh që po presim nëpërmjet reformës, fillon nga vetja”.

“Nëse ne si Këshill nuk reflektojmë profesionalizëm, integritet, transparencë, duhet të jetë e vështirë që të gjitha këto vlera t’i pretendojmë në radhët e magjistratëve”, shtoi ajo.

Ndërkohë Bogdani nënvizoi se “ngarkesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve është e lartë nga vakancat në sistem. Është e pamundur që një magjistrat të veprojë në kushte normaliteti. Në këtë trysni pune duhet të kemi disa aftësi menaxheriale të zhvilluara, qoftë indivualisht dhe përmes trajnimeve. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të kuptojmë limitet tona. Gjithësecili duhet të mbajë aq peshë profesionale sa ka mundësi. Duhet të shikojmë mundësinë që ta ndajmë përgjegjësinë me të tjerët dhe të bëjmë pjesë të punës tonë dhe aktorë të tjerë që mund të na ndihmojnë në punën tonë”.