Presidenti Begaj në Hungari: Mbështetje e plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nisi sot një vizitë zyrtare në Hungari, ku u prit nga homologu i tij Tamás Sulyok. Në qendër të vizitës ishin forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe çështjet e sigurisë në rajon e Evropë.

Kreu i shtetit mori mbështetjen e hapur të Hungarisë për finalizimin e negociatave të Shqipërisë me BE.

“Shpreha mirënjohje në takimin tonë ndaj Presidentit dhe Hungarisë mike për mbështetjen e fortë, të palëkundur dhe të pakushtëzuar që Hungaria jep për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Begaj.

Presidentët Begaj dhe Sulyok nënvizuan rëndësinë e anëtarësimit në BE bazuar në meritë, duke theksuar se Shqipëria e meriton të jetë pjesë e unionit. Ata vunë në dukje intensifikimin e dialogut politik mes dy vendeve dhe u shprehën të bindur se bashkëpunimi do të sjellë rezultate të prekshme në të gjitha fushat.

Begaj përmendi progresin e arritur nga Shqipëria dhe mundësitë e favorshme për investitorët hungarezë. Ai shprehu vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin në drejtësi dhe në sektorë të tjerë me rëndësi për qytetarët.

Sa i përket sigurisë, dy presidentët konfirmuan angazhimin në kuadër të NATO-s.

“Presim të bashkëpunojmë ngushtë në kuadër të Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027”, tha Begaj, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e Hungarisë në KFOR dhe rëndësinë e tij për sigurinë në rajon.

Në fund, Presidenti Begaj nxiti shkëmbime më të shpeshta kulturore dhe arsimore si një mënyrë për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.