"Minimalisht 40 deputetë"/ Shella: Numri i tyre duhet të ulet për shkak të emigracionit të jashtëm dhe migracionit të brendshëm
Kreu i INFOÇIP, Gert Shella, në një intervistë për "Ora News" theksoi nevojën për uljen e numrit të deputetëve dhe për një reformë administrative-territoriale, duke argumentuar se ndryshimet demografike dhe migracioni i brendshëm e bëjnë të domosdoshëm riorganizimin e Bashkive dhe përfaqësimin parlamentar.
"Ne nuk jemi më 3.2 milion banorë. Edhe në CENSUS-in e fundit nga ana tjetër edhe në përmasën që tashmë është fakt i gjithëpranuar që pothuajse gjysma e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të territorit të republikës, teksa në zgjedhjet e fundit ne patën një % shumë të ulët të shqiptarëve që jetojnë jashtë që iu përgjigjën apelit për të marrë pjesë në votime, është e nevojshme për të riparë me radhë numrin e përfaqsimit në Kuvend, pra sa deputetë për 100 mijë banorë do të ketë republika e Shqipërisë dhe shifrat tona të realizuara shkojnë midis 71-101, pra kjo duhet të jetë dritarja që duhet të mbahet parasysh, që nënkupton uljen me minimalisht 40 deputetë të numrit aktual të Kuvendit.
Nga ana tjetër kjo duhet bashkëshoqëruar me një reformë të re administrative-territoriale. Ne kemi edhe një lëvizje shumë të vrullshme demografike të brendshme, pra migracion i brendshëm, me tendencë nga zonat rurale dhe nga qytezat periferike, në drejtim të qytetit,.
Këto e bëjnë të domosdoshme riorganizimin territorial, riorganizimin e Bashkive edhe mënyrën sesi ne duhet të ripërdorim vokabularin urban sepse kemi qyteza apo qytete që në fakt janë bërë qyteza dhe fshatra, pra kemi Bashki në fshatra praktikisht që ësht e pakonceptueshme. Kur them fshatra nënkuptojë ato lokalitete që nuk janë më shumë se 1000 banorë", u shpreh Shella.
