"Nuk i kemi marrë asnjë komision Opozitës"/ Balla në Kuvend: Komisioni i Integrimit nuk është shkrirë
Në seancën plenare të sotme, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca do të propozojë në Kuvend nisjen e menjëhershme të reformës zgjedhore.
Ai theksoi se puna në komisione do të reflektojë kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në BE dhe se opozita ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces, duke u bërë thirrje të marrë drejtimin e disa komisioneve kyçe si arsimi, shëndetësia dhe të drejtat e njeriut.
"Mazhoranca do të propozojë në Kuvend edhe reformën zgjedhore që duhet ta fillojmë menjëherë. Kemi ardhur me propozim ku puna në Komisione të reflektojë kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në BE. Edhe opozita ka rolin e vet të pazëvendësueshëm. Nuk i kemi marrë asnjë komision opozitës por i kemi shtuar më shumë fusha jetike dhe përgjegjësi. Është jetike që opozita të vijë në Kuvend dhe të drejtojë komisionin e arsimit, shëndetësisë, dhe atë të të drejtave të njeriut. Nuk e kemi shkrirë komisionin e Integrimit, por punët e jashtme i kemi bërë bashkë te punët për Europën”, tha Balla.
