Rama ''nuk fal'' gjyqtarët/ Boshku riktheu në punë drejtorin e AMP Vlorë, Rama: Rast i 'ububushëm'
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar gjykatësin i cili riktheu në detyrë drejtorin e AMP-së Vlorë, i cili ishte pezulluar pasi kishte ndërtuar pa leje në Ksamil. Me anë të një reagimi në Facebook, ku bashkangjitur ishte dhe fotoja e Gjyqtarit Boshku, Kryeministri lajmëroi se rasti do ti dërgohet KLGJ-së ndërsa thotë se në process nuk u thërrit përfaqësuesi i shtetit.
Kryeministrit Edi Rama shprehu kritika të tjera ndaj gjykatësve që sipas tij marrin vendime që cënojnë interesin e qytetarëve.
Përmes rrjeteve sociale ka denoncuar gjykatësin me mbiemër Boshku, i cili vendosi që të rikthejë në punë drejtorin e AMP-së së Vlorës, që kreu i qeverisë thotë se ishte i pezulluar nga detyra pasi kishte ndërtuar pa leje në zonën e Ksamilit.
Madje rama thotë se gjykatësi nuk thërriti përfaqësuesit e shtetit në process
“Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori!
Si drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore - pra i trupës që ligji ngarkon për të kontrolluar veprimet dhe garantuar integritetin e Policisë së Shtetit - një birbo pa din e pa iman, jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën.”
Më tej njoftoi se Ministria e Drejtësisë çështjen e gjykatësit Boshku do tia dërgojë Këshillit të Lartë GJyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë, do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ - ILD), ndërsa me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia.
Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira, si puna ulëritëse e këtij ujkut me mëlçi në qafë të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turp si detyrime të shtetit, kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë.”
Reagimin në Facebook, shefi i ekzekutivit e mbylli me një mesazh për ata që sipas tij cënojnë interesat e qytetarëve.
“Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik.”
Edhe më herët Rama ka denoncuar vendimet e gjykatësve dhe prokurorëve për ndërtimet pa leje, në Theth e në Tiranë.
