Ngjarja sot në Shkodër/ Zhabina: Nëse SPAK nuk heton atentatet, që nga ai i Lulzim Kullës, do të numërojmë viktimat!

Gazetari Xhevahir Zhabina, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për masakrën në Shkodër me dy viktima dhe dy të plagosur. 

Zhabina e përshkroi atentatin si "vrasje low cost" për shkak të mungesës së profesionalizmit nga autori i dyshuar Ragip Gila, por shtoi se kriminaliteti në Shkodër është mjaft problematik dhe SPAK duhet të hetojë atentatet, duke filluar nga ai i Lulzim Kullës, ndryshe shteti vetëm do të numërojë viktimat. 

"Mendoj se është një vrasje low cost (me pak shpenzime). Personi që ka dashur të kryejë vrasjen nuk ka mundur. Mendoj se është low cost pasi merr pjesë vetëm një person, që shkon aty i vetëm, për të vrarë një personazh me peshë, me një motor, që nga stresi, ankthi, bën aksident dhe është e thjeshtë për policinë për ta arrestuar.

Pse ndodh kjo mes grupeve kriminale në Shkodër? Vjen nga një arsye, mosreagimi i shetit. E dimë se çfarë ndodh në Shkodër, kush janë autorët, porositësit, organizatorët. Konfirmohet nga një dosje që prokuroria e posaçme, kreu disa arrestime, zbardhja e vrasjes së Fatbardh Licit, që SPAK nuk bëri asnjë hetim shtesë nga prokuroria e Shkodrës. Pra të gjithë veprimet e prokurorisë së Shkodrës, 6-7 vite më parë ishin të vlefshme për SPAK për të kryer arrestime, ndërsa për Prokurorinë e Shkodrës nuk bëhej për shkak te presionit. 
Të gjtihë këto vrasje, që nga atentati ndaj Lulzim Kullës, duhet të merren në dorë nga SPAK, ndryshe ne do të numërojmë viktimat", tha Zhabina.