Zgjedhjet në Norvegji: Investimet në Izrael, çështja që po përcakton votën

Norvegjia po voton sot për zgjedhjet parlamentare, në një garë të ngushtë mes bllokut e qendrës së majtë të udhëhequr nga Partia e Punës dhe bllokut të qendre së djathtë të dominuar nga Partia e Përparimit dhe Konservatorët. Përveç çështjeve ekonomike dhe taksave, një debat i madh po ndikon fushatën: investimet e fondit sovran norvegjez në kompani të lidhura me Izraelin, mes luftës në Gaza.

Fondi, i krijuar në vitet ’90 nga të ardhurat e naftës së Detit të Veriut, ka sot një vlerë prej 2 trilionë dollarësh, duke e bërë atë më të madhin në botë. Ai zotëron aksione në rreth 9 mijë kompani globale, përfshirë 61 kompani izraelite me një vlerë investimi prej 2.2 miliardë dollarësh deri më 30 qershor 2025. Pas kritikave publike, fondi është tërhequr nga të paktën 11 kompani izraelite, mes tyre edhe ato që furnizojnë motorë avionësh luftarakë për Izraelin.

Partitë norvegjeze janë të ndara. Të majtët kërkojnë shkëputjen e plotë të investimeve nga kompanitë e përfshira në atë që e quajnë “lufta e paligjshme e Izraelit në Gaza”, ndërsa konservatorët mbrojnë parimin e mosndërhyrjes politike në menaxhimin e fondit. Kryeministri Jonas Gahr Støre e ka quajtur “shqetësuese” rritjen e aksioneve në kompani izraelite që kontribuojnë në luftë.

Debati ka tërhequr edhe reagime ndërkombëtare. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve është shprehur “shumë i shqetësuar” nga vendimi i Norvegjisë për t’u tërhequr nga Caterpillar, ndërsa senatori republikan Lindsey Graham ka kërkuar madje edhe tarifa e kufizime vizash kundër Oslos.

Përtej kësaj çështjeje, votuesit norvegjezë janë të shqetësuar për koston e jetesës, pabarazinë dhe çmimet e ushqimeve, të cilat janë rritur me gati 6% gjatë vitit të fundit. Rezultatet paraprake priten mbrëmjen e 8 shtatorit, por fati i qeverisë së ardhshme mund të varet nga negociatat paszgjedhore.