NASA: Marsi ka bërthamë të brendshme të ngurtë

Studiues nga Kina dhe SHBA-ja, në kundërshtim me pikëpamjet e pranuara prej shumë kohësh, kanë zbuluar prova se planeti Mars ka një bërthamë të brendshme të ngurtë.

Studiues nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Kinës dhe Universiteti i Teksasit në SHBA analizuan të dhënat sizmike të marra gjatë misionit “InSight” të NASA-s, i cili tani ka përfunduar. Studiuesit zbuluan se në thellësi të Marsit ndodhet një bërthamë të brendshme e ngurtë me një rreze prej 600 kilometrash.

Masa e ngurtë, e cila përbën afërsisht 18 për qind të rrezes së Marsit, është e ngjashme me bërthamën e brendshme të Tokës, njoftuan studiuesit të cilët theksuan se gjetjet janë në cilësinë e një pike referimi për të kuptuar gjendjen termike dhe kimike të planetit.

Studiuesit shpjeguan se bërthama e brendshme është formuar nga përqendrimi i elementëve të lehtë si karboni, oksigjeni dhe hidrogjeni, dhe se këta elementë ndahen nga bërthama e jashtme përmes kristalizimit.

Mungesa e një fushe magnetike globale, pavarësisht se korja e Marsit ka qenë e magnetizuar fort në të kaluarën, tregon se aktiviteti dinamo i planetit ka mbaruar, njoftuan hulumtuesit duke tërhequr vëmendjen se kristalizimi i bërthamës dhe ekzistenca e një bërthame të brendshme mund të luajnë një rol përcaktues në kuptimin e këtij procesi.

Hulumtuesit theksuan se në kundërshtim me pikëpamjet e mëparshme, ky studim zbulon se Marsi nuk ka një bërthamë plotësisht të lëngshme dhe hedh dritë mbi debatet e gjata rreth formimit dhe evolucionit të planetit.