Trump duhet të paguajë 83.3 mln $ për shpifje, gjykata lë në fuqi vendimin

Një Gjykatë Apeli në SHBA ka vendosur të mbajë në fuqi vendimin që detyron Presidentin Donald Trump të paguajë 83.3 milionë dollarë për E. Jean Carroll, pas sulmeve të tij të përsëritura në rrjetet sociale ndaj saj.

Ky vendim vjen pas një gjykimi të mëparshëm nga një gjykatë civile, ku Trump u gjet përgjegjës për shpifje dhe iu urdhërua të paguajë 5 milionë dollarë për ish-bashkëpunëtoren e revistës Elle.

Kjo e fundit pretendonte se ishte abuzuar seksualisht në vitin 1996 nga presidenti amerikan, akuzë e fortë që prej Trump u mohua.

Ai e akuzoi Carroll se e kishte trilluar ngjarjen për të promovuar librin e saj, duke shtuar se ajo “as nuk ishte tipi i tij”.

Çfarë ka ndodhur ekzaktësisht?

Carroll ka deklaruar më parë se në vitin 1996 kishte pasur një takim rastësor me Trump në dyqanin Bergdorf Goodman në Fifth Avenue, New York. Sipas saj, takimi filloi me flirt, por përfundoi me një sulm seksual.

Gjyqi i parë civil (2023)

Carroll paditi Trump për abuzim seksual dhe për shpifje, teksa ai mohoi incidentin. Juria e gjeti Trump përgjegjës për sulm seksual, por jo për përdhunim sipas ligjit të New York-ut. Carroll mori 5 milionë dollarë dëmshpërblim.

Gjyqi i dytë civil (2024)

Ky gjyq ishte për të vendosur dëmshpërblimin për sulmet e mëtejshme të Trump ndaj Carroll. Trump ishte prezent në këtë gjyq, i cili u zhvillua ndërsa ai kandidonte përsëri për president. Juria i dha Carroll 83.3 milionë dollarë, vendim që u konfirmua më vonë nga Gjykata e Apelit. Trump kishte argumentuar se vendimi nuk duhej zbatuar për shkak të zgjerimit të imunitetit presidencial nga Gjykata Supreme, por apelimi u rrëzua.