Kërpudhat toksike, dënohet me burgim të përjetshëm 50-vjeçarja! I mbijetuari i vetëm bën thirrje: Tregoni...

Dënohet me burgim të përjetshëm Erin Patterson, Australiana 50-vjeçare dënohet për vrasjen e tre të afërmve dhe tentativën për të vrarë një tjetër në një drekë familjare me kërpudha toksike. Patterson nuk tregoi emocione, ndërsa do të kalojë të paktën 33 vite pas hekurave.

Gjykata Supreme e Viktorias në Melbourne ka dhënë një nga dënimet më të rënda për një grua në historinë gjyqësore australiane. Erin Patterson, 50 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm, me një periudhë prej 33 vitesh pa të drejtë lirimi me kusht. Ajo u shpall fajtore për vrasjen e tre të afërmve dhe tentativën për të vrarë një tjetër gjatë një dreke familjare në vitin 2023.”

Patterson shërbeu Wellington me mish viçi të mbushura me kërpudha toksike vdekjeprurëse, që sollën humbjen e jetës për Don dhe Gail Patterson ish-vjehrrit e saj si dhe Heather Wilkinson, motrën e Gail. Ian Wilkinson, burri i Heather, ishte i vetmi i mbijetuar, por qëndroi për javë të tëra në koma.

Gjyqtari Christopher Beale tha se krimet e Patterson përfaqësonin një ‘tradhti të madhe të besimit’, duke shtuar se ajo kreu një ‘mbulim të hollësishëm’ për të fshehur gjurmët e saj.

Megjithatë, ai lejoi mundësinë e lirimit me kusht pas 33 vitesh, për shkak të kushteve jashtëzakonisht të ashpra që ajo përballet në burg.

Ndërsa i mbijetuari i vetëm i kësaj historie ka deklaruar se: “Falënderoj policinë, prokurorët, stafin mjekësor dhe të gjithë ata që na kanë mbështetur. Ju bëj thirrje të gjithëve të tregoni mirësi dhe dhembshuri ndaj njëri-tjetrit.”

Patterson, e cila nuk tregoi asnjë shenjë pendese gjatë gjithë seancës, do të jetë 82 vjeç përpara se të ketë të drejtë të aplikojë për lirim. Ajo ka 28 ditë kohë për të apeluar dënimin dhe vendimin e jurisë.

Kjo histori ka tronditur Australinë dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore për nga mënyra e kryerjes së krimit dhe gjatësia e dënimit.