Norvegji: Zgjedhjet parlamentare përplasin koalicionet rreth taksës mbi pasurinë
Pas votimeve së sotme, Norvegjia pritet të përballet me javë negociatash koalicioni, ndërsa rezultatet zyrtare do të shpallen të martën.
Në qendër të fushatës elektorale ishte taksa mbi pasurinë, e vendosur që nga viti 1892, e cila arrin deri në 1.1% mbi asetet dhe aksionet me vlerë mbi 1.76 milionë korona (rreth 150 mijë euro).
Debati është përqendruar mes partisë Laburiste të kryeministrit Jonas Gahr Støre, që mbron ruajtjen e saj, dhe opozitës së qendrës së djathtë që kërkon ta zvogëlojë ose ta heqë plotësisht.
Heqja e kësaj takse, sipas Laburistëve, do t’i kushtonte vendit rreth 34 miliardë korona (2.8 miliardë euro) në vit.
Partia e Progresit e Sylvi Listhaug pritet të dalë më mirë se Konservatorët e udhëhequr nga ish-kryeministrja Erna Solberg, e forcuar nga një fushatë intensive në rrjetet sociale që ka tërhequr votuesit e rinj.
Rreth 4.3 milionë qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 169 deputetët e parlamentit norvegjez (Storting).
Pas shpalljes së rezultateve, do të nisë procesi i gjatë i negociatave për ndarjen e posteve qeveritare, përpara se mbreti Harald të betojë qeverinë e re.
Rezultati nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme të vendit, i cili mbetet një anëtar themelues i NATO-s dhe mbështetës i fortë i Ukrainës përballë Rusisë.
Norvegjia, një nga vendet më të pasura në botë, ka një shtet social bujar, rezerva të mëdha nafte e gazi dhe një fond sovran prej rreth 20 trilionë koronash (1.71 trilionë euro).
Me PBB për frymë ndër më të lartat globalisht, vendi njihet edhe për shpërndarjen më të barabartë të pasurisë krahasuar me shumicën e shteteve të tjera.
