Kevin Norra në burg, Gjykata e Sarandës jep masën e sigurisë për aksidentin fatal ku humbën jetën motrat Dhimaku
Një aksident i rëndë rrugor në Delvinë, ku humbën jetën dy motrat Dhimaku, ka çuar në pranga 23-vjeçarin Kevin Norra. Gjykata e Sarandës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”
Në seancën e zhvilluar, prokurorja e çështjes Besjana Sadikaj kërkoi masën e arrestit me burg, të cilën gjykata e pranoi.
Norra që u përplas mbrëmjen e 24 gushtit me mjetin e dy motrave në aksin Delvinë-Sarandë, ishte duke lëvizur me shpejtësi, kur ka kryer një parakalim të gabuar duke i dalë përballë mjetit të dy motrave duke u përplasur kokë më kokë. Si pasojë, Rozina dhe Elvisa Dhimaku, 20 dhe 22 vjeçe, ndërruan jetë.
E plagosur mbeti edhe 24-vjeçarja Antonela Zhupa, e cila u dërgua në spitalin e Traumës ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa 23-vjeçari, specialist në ministrinë e Brendshme, rezultoi se ishte i dehur në timon.
