GJKKO ia beson mobilimin e 4 sallave ish-kandidatit për deputet. Ja 6 firmat që rikonstruktojnë nga brenda Gjykatën e Posaçme

Katër sallat e gjykimit që ndodhen pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i janë besuar për t’i mobiluar Benard Martinit, pronarit të kompanisë “Martini Konstruksuion & Real Estate”.

Martini, ish-kandidat për deputet i PSD-së në zgjedhjet parlamentare të Prillit 2021 në qarkun e Tiranës, ka arritur të fitojë njërin nga dy tenderat për mobilimin e 4 sallave të gjykimeve.

“…Na jepni besimin, t'ju kthejmë shpresën…!”. Ky ishte në 2021 slogani i Benard Martinit për të hyrë në politikë.

E me sa duket, tashmë këtë besim e ka marë edhe nga Gjykata e Posaçme, e cila kundrejt një oferte financiare prej 126 milion lekë të vjetra, ia ka besuar ndryshimin drastik të mobilimit të mobilimit të 4 sallave të gjykimit.

GJKKO ia beson mobilimin e 4 sallave ish-kandidatit për deputet. Ja 6
Ish-kandidati i PSD, Benard Martini

Bëhet fjalë për mobilimin e sallave me Nr.8, Salla me Nr.18, Salla me Nr.19 dhe Salla me Nr.10. Këtë tender Benard Martini e fitoi përballë kompanisë “Laviva Texhnologies” që administrohet nga biznesmeni Leonard Basha.

Ish-kandidati për deputet aktualisht biznesmen në fushën e ndërtimit, rezulton të jetë verifikuar në 2016 nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e “Shkatërimit të pronës nga pakujdesia”, dosje e cila nuk është rregjistruar fare si procedim në prokurori.

Po nga prokuroria e Tiranës në vitin 2015 në ngarkim të tij është bërë mosfillim procedimi penal, pasi ndaj tij ishte referuar një material kallëzues për akuzën e “Ndërtimit pa lejë”.

Ndërsa në vitin 2009 prokuroria e Tiranës ka pezulluar një dosje hetimore për akuzën e “Vjedhjes”, ku i dyshuar ka qënë Benard Martini.

Me tej tenderin e dytë për mobilimin e 4 sallave të tjera të gjykimit në GJKKO, e ka fituar kompania “Klame” që administrohet nga Gëzim Shehi. Tenderi për mobilimin e 4 sallave me Nr. Nr.23, Salla me Nr.12, Salla me Nr. 13 dhe Salla me Nr. 06, kishte të parashikuar një fond limit prej 439 milion lekë të vjetra.

Por “KLAME” doli fitues për shkak se paraqiti ofertën më të ulët në vlerën 296 milion lekë të vjetra, në raport me 358 milion që paraqiti kompania “RO-AL” e skualifikuar, 378 milion kompania “ERALD” dhe 332 milion lekë kompania “SHAGA” e skualifikuar.

GJKKO ia beson mobilimin e 4 sallave ish-kandidatit për deputet. Ja 6

Ndërkohë procedurat e tjera të tenderave të zhvilluar nga GJKKO-ja janë fituar nga kompanitë “Gjenerali shpk”, “RSM Company”, “BOLT” dhe “LAVIVA TECHNOLOGIES”. Në total janë 6 kompani që do kryejnë rikonstruksionin e brendshëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Kompanisë kosovare “RSM COMPANY” në pronësi të biznesmenit nga Kosova, Agim Kola, i është besuar nga GJKKO-ja rikonstruksioni i holleve të Gjykatës, që kapin një vlerë financiare diku tek 101 milion lekë të vjetra.

Ndërsa rimodelimin e holleve dhe mobilimin e tyre do e kryejë kompania “BOLT” e Bardhyl Beqirit, e cila ka ofruar një shifër prej 48 milion lekë të vjetra.

Kurse kompania “Gjenerali” e Artion Bashos, kundrejt 13 milion lekë të vjetra, do kryejë rikonstruksionin e zyrës së gazetarëve, sallën e mbledhjeve, paradhomën dhe ambjentet e kryesekretarisë.

Gjithashtu tenderi i gjashtë për ndërtimin e sistemit kompjuterik që menaxhon në mënyrë automatike ndërtesën, është fituar kundrejt vlerës prej 79 milion lekë të vjetra nga kompania “LAVIVA TECHNOLOGIES” që administrohet nga Leonard Basha.