Viti i ri shkollor/ Manastirliu: Për herë të parë, mësuesit do të kenë planet mësimore në sistemin SMIP
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se për herë të parë këtë vit, mësuesit do të kenë planet e tyre mësimore në platformën SMIP.
Ministrja Manastirliu e konsideroi këtë hap, si një tjetër mundësi për përdorimin e hapësirës digjitale, që pritet të sjellë më shumë lehtësi për mësuesit dhe më shumë garanci për verifikimin e cilësisë së mësimdhënies në shkollat tona.
Manastirliu u shpreh më herët se përmes sistemit SMIP, këtë vit janë dërguar mbi 16 mijë letra informuese për prindërit, në lidhje me prirjet dhe arritjet e fëmijëve, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës të orientimit në karrierë.
Ministrja Manastirliu tha se “identifikimi i prirjeve dhe talenteve fillon me takimet në grup, me vizitat në institucione, me vizitat në biznese, me vetë profesionistët që vijnë në shkollë dhe flasin”.
Këtë vit, me përfundimin e vitit shkollor, janë më shumë se 16 mijë letra informuese që u kanë vajtur prindërve përmes sistemit SMIP nga mësuesit koordinatorë për orientimin e karrierës, mësuesit kujdestarë, të cilët kanë informuar prindërit për nxënësit, për prirjet e tyre, për talentet e shfaqura, për arritjet e tyre.
“Nëse ne duam një gjeneratë të përgatitur që i përgjigjet sfidave të shekullit 21, na duhet që në këtë mision për arsimin, mësuesit koordinatorë të orientimit të karrierës të marrin një rol edhe më të fuqishëm”, shtoi ajo.

