VIDEO/ Librat falas për fëmijët, Rama ndan emocionet e prindërve

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me emocionet e prindërve që përfitojnë paketën e plotë të librave falas për fëmijët në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

“Unë kam ardhur këtu për të marrë libra të klasës së parë”, u shpreh një nxënëse e klasës së parë.

“Unë jam shumë e lumtur që jam në shkollë”, tha një tjetër nxënëse.

“Sot po rritemi në një çast të parë, emocionet janë pa fund. Gati të qajmë jemi, po. Shumë mirë, shumë mirë”, u shpreh prindi i një tjetër nxënësi.

“Kemi ardhur për të marrë librat e klasës së parë”, thanë dy nxënës të tjerë

“Si fillimi i klasës së parë, emocione për fëmijët edhe për ne, sigurisht”, tha një tjetër prind.

“Unë kam sjellë mbesën time me vajzën e djalit. U kënaq gjatë verës me pushime, tani filloi shkolla me gëzim”, tha gjyshja e një nxënëseje.

“Po jam shumë e lumtur që fillon shkolla”, tha një tjetër nxënëse, ndërsa një prind u shpreh se, “normalisht pak i emocionuar, se na kujton veten kur kemi qenë fëmijë”.

“Uroj të gjithë fëmijët që nisin për herë të parë rrugëtimin drejt dijes, të kenë një rrugëtim sa më të bukur dhe më të mirë”, tha një tjetër prind.

“Fëmijët janë shumë të gëzuar për librat. Gjithmonë ata kanë qejf t’i shfletojnë”, tha një mësuese.

Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit që vizitoi fëmijët në ditën e marrjes së librave, u shpreh se, “shkolla s’ka filluar ende, por gumëzhin sot nga zërat e nxënësve”.

“Ne kemi filluar shpërndarjen e librave falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin. Janë rreth 9 milionë euro, të cilat vihen në dispozicion për të garantuar që nxënësit të kenë librat shkollor falas nga klasa e parë në klasë të 9 dhe gjithashtu edhe për 16 kategori nxënësish, të cilët janë në gjimnaze”, tha ministrja Manastirliu.