Tajfuni “Kajiki” lë 3 viktima! Mbi 7,000 shtëpi dhe 28,800 ha oriz të përmbytura. Reshje dhe rrëshqitje dheu kërcënojnë rajonet
Tre persona humbën jetën nga tajfuni Kajiki që përfshiu Vietnamin me reshje të dendura dhe erëra të forta. Autoritetet evakuuan qindra mijëra banorë, ndërsa dëmet në bujqësi dhe infrastrukturë janë të mëdha.
Tajfuni Kajiki ka goditur rëndë Vietnamin, duke shkaktuar tre viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa reshjet e dendura dhe erërat e fuqishme kanë sjellë shkatërrime të mëdha në disa rajone të vendit. Autoritetet raportuan se stuhia, e shoqëruar me erëra deri në 117 km/h, ka përmbytur zona të tëra dhe ka gjunjëzuar infrastrukturën.
Në kryeqytetin Hanoi, rrugët u kthyen në lumenj pas reshjeve të pandërprera, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Përmbytjet ndodhën në prag të Ditës Kombëtare, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe organizimin e aktiviteteve zyrtare.
Ndërkohë, zonat qendrore dhe bregdetare ishin më të goditurat. Sipas autoriteteve vietnameze, rreth 7,000 shtëpi u dëmtuan, ndërsa mbi 28,800 hektarë fusha orizi u përmbytën, duke kërcënuar prodhimin bujqësor. Po ashtu, më shumë se 18,000 pemë u rrëzuan dhe 331 shtylla elektrike u shembën, duke lënë pa energji elektrike mijëra familje në provincat Thanh Hoa, Nghe An, Ha Tinh, Thai Nguyen dhe Phu Tho.
Për të shmangur viktima të tjera, autoritetet vendosën të evakuojnë afro 600 mijë persona nga zonat më të rrezikuara, duke i strehuar përkohësisht në qendra emergjence.
Shërbimet e shpëtimit paralajmëruan se reshje shtesë deri në 150 mm brenda gjashtë orësh mund të shkaktojnë vërshime të papritura dhe rrëshqitje dheu në zonat malore.
Ky është një nga tajfunet më të fuqishëm që ka goditur Vietnamin vitet e fundit, duke sjellë në vëmendje rrezikun në rritje që stuhitë tropikale dhe ndryshimet klimatike paraqesin për rajonin e Azisë Juglindore.
Autoritetet vietnameze kanë bërë thirrje për mobilizim të plotë të burimeve shtetërore për të përballuar pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore.

