Australia dëbon ambasadorin iranian, pas sulmeve antisemite
Kryeministri australian Anthony Albanese that sot se qeveria iraniane orkestroi sulme antisemite në tokën australiane dhe ka njoftuar dëbimin e ambasadorit iranian.
Duke folur para gazetarëve, Albanese tha se Organizata Australiane e Inteligjencës së Sigurisë (ASIO) kishte konfirmuar përfshirjen e Teheranit në sulmet që synonin komunitetin hebre të Australisë, duke përfshirë sinagogën ”Adass Israel” të Melburnit.
“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni të orkestruara nga një komb i huaj në tokën australiane”, tha kryeministri.
“Ato ishin përpjekje për të minuar kohezionin shoqëror dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë”, shtoi ai.
Ministrja e Jashtme, Penny Wong tha se kjo shënon herën e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që Kanberra ka dëbuar një ambasador.
Përveç ambasadorit Ahmad Sadeghi, tre diplomatë të tjerë iranianë janë shpallur persona ”non grata” dhe duhet të largohen nga Australia brenda shtatë ditësh.
”Ambasada australiane në Teheran pezulloi operacionet e saj”, tha Wong, me të gjithë stafin të zhvendosur në mënyrë të sigurt në një vend të tretë.
Ajo u bëri thirrje australianëve në Iran të largohen menjëherë nëse është e sigurt ta bëjnë këtë.

