Lufta në Gaza, izraelitët sërish në protestë! Bllokojnë rrugët, mblidhen para ambasadës amerikane dhe shtëpive të ministrave

Mijëra izraelitë në të gjithë vendin u ngritën sërish në protestë duke kërkuar lirimin e pengjeve dhe një marrëveshje për përfundimin e luftës në Gaza.

Sipas mediave izraelite protesta, e shpallur nga Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, nisi në orën 06:29, kohë kur Hamasi nisi sulmin më 7 tetor 2023, ndërsa protestuesit shpalosën flamuj izraelitë jashtë ambasadës amerikane në Tel Aviv.

Më pas, protesta filloi të zgjerohej në kryqëzimet kryesore të rrugëve. Demonstrata janë planifikuar gjatë gjithë ditës në Tel Aviv, dhe marshime do të mbahen në të gjithë vendin duke filluar nga ora 14:00.

Dita do të kulmojë në mbrëmje me një marshim të madh nga stacioni i trenit Savidor i Tel Avivit deri në Sheshin e Pengjeve, ku do të bëhet edhe mbyllja e protestës. 

Mediat izraelite raportuan se grupe protestuesish u mblodhën gjithashtu para shtëpive të ministrave të ndryshëm në të gjithë vendin. 

"Ka një ofertë në tryezë. Ne kërkojmë që udhëheqësit tanë të ulen në tryezën e negociatave dhe të mos largohen derisa të arrihet një marrëveshje", tha Hagit Chen, djali i së cilës u rrëmbye nga militantët e Hamasit në tetor 2023.

Qeveria do të mbajë një takim të Kabinetit të Sigurisë sonte në mbrëmje. Rendi i ditës nuk është njoftuar zyrtarisht, por sipas mediave lokale, pritet të diskutohet për rifillimin e negociatave për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve. 

Në fillim të gushtit, Kabineti miratoi planin për kapjen ushtarake të qytetit të Gazës, duke shkaktuar frikë të re për sigurinë e pengjeve dhe një valë të re protestash me dhjetëra mijëra njerëz në rrugët e vendit. 

Javën e kaluar, Kryeministri Netanyahu urdhëroi fillimin e menjëhershëm të bisedimeve që synojnë lirimin e të gjithë të burgosurve të mbetur në Gaza, ndërsa dyfishoi planet për një ofensivë të re për të pushtuar qytetin më të madh të Rripit.

Disa ditë më parë, Hamasi njoftoi se kishte pranuar një propozim të ri për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësit, i cili bënte thirrje për lirimin e pengjeve gjatë një periudhe fillestare 60-ditore në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.