Zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Politika shqiptare uron Dimal Bashën
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha për kryetar të Kuvendit.
Në përpjekjen e 58-të për konstituimin e Kuvendit, propozimi i Vetëvendosjes u miratua me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenim.
Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të PDK-së, AAK-së, dhë një pjese të pakicave. LDK dhe Lista Serbe votuan kundër.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e ngërçit të krijuar, kjo ishte seanca e katërt e zhvilluar ku deputetët dhanë dakordësi për emrin e Dimal Bashës si kreu i ri i Kuvendit të Kosovës.
REAGON POLITIKA SHQIPTARE
Presidenti Bajram Begaj uroi sot Dimal Bashën për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale Begaj theksoi se “bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”.
"Urime, z. Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj", shprehet Begaj.
Edhe Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka uruar zgjedhjen e kreut te parlamentit të Kosovës:
“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve.
Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit tē Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon.”, shprehet Spiropali.
Edhe deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar per votimin e kryeparlamentarit te Kosoves.
"Urime Dimal Bashës, Kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës. Shpresoj që Kosova tani të jetë në gjendje të ecë përpara, me vendosmëri për të ndërtuar një të ardhme me të mirë për qytetarët e saj. Kosova ka qenë, është dhe do të jetë një shtet funksional dhe demokratik", shprehet Bardhi.


