Tragjedia/ 4-vjeçarja shqiptare do varroset në ditën e ditëlindjes së saj
Pikërisht ditën e ditëlindjes së saj do të zhvillohet ceremonia mortore e vajzës 4-vjeçare nga Shqipëria, e cila u gjet e mbytur në një pishinë në Greqi.
Të martën, më 26 gusht, në orën 18:30, familjarët dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit vogëlushes Amelia, në Longó, aty ku jetonte me familjen. Të martën, Amelia do të festonte ditëlindjen e saj të katërt.
Sa i përket familjes së vajzës, prindërit dhe gjyshi i saj janë lënë të lirë me kushtin e ndalimit të daljes nga vendi, pas dëshmisë së dhënë para hetuesit. Ata përballen me akuzën e "ekspozimit të miturit me pasojë vdekjen".
Vonë në mesditë përfundoi edhe ekspertiza mjeko-ligjore dhe sipas raportit të mjekut ligjor, Ioannis Aivatidis, vdekja e vajzës erdhi nga mbytja në ujë.
Tezja e vogëlushes përshkruan në Live News momentet nga humbja e fëmijës deri te gjetja e saj në pishinën e vilës.
“Fëmija hapi derën dhe shkoi në pjesën pas shtëpisë ku është pishina. U largua nga shtëpia dhe shkoi drejt atje. Kishte marrë këpucët, kishte marrë edhe kovën e vogël me të cilën luajnë fëmijët, dhe ato lojëra u gjetën në pishinën ku shkoi fëmija. Policia i gjeti lojërat aty pranë pishinës. Ra brenda dhe lodrat ishin mbi pishinë, kovat, kukullat, ishin mbi pishinë. Kishte ngrënë drekë, po. Kur ia nxorën ujin nga goja, ia nxorën edhe ushqimin fëmijës”.
Për atë që ndodhi më pas, ajo tha: “Ne kërkuam këtej dhe atje, ishte prapa shtëpisë, nuk na shkonte mendja se ishte aty në pishinën pas shtëpisë. Ajo rrugë që mori fëmija, nuk e njihte fare. Ne kërkuam, edhe lagjja këtu kërkoi me ne. E gjeti dikush dhe tha: ‘E gjeta fëmijën’. Ne thamë se ndoshta e gjeti gjallë, por fëmija ishte i vdekur. Kishte ditëlindjen dhe ne po mblidhnim balona, me dele dhe gjithë gjërat që do bënim në festën e vogëlushes, tani do bëjmë helm”.
Fëmija ishte duke luajtur në oborrin e shtëpisë së vet. Për disa minuta, në mesditën e ditës fatale, 4-vjeçarja u largua nga vëmendja e nënës, u zhduk dhe ajo menjëherë filloi ta kërkonte rreth shtëpisë së bashku me fqinjët, pa sukses.
Në një distancë prej 150 metrash nga shtëpia e familjes ndodhej vila, në pishinën e së cilës u gjet pak më vonë nga kuzhinieri që shkoi për të punuar atje. Në atë orë, turistët që ishin duke qëndruar në shtëpi kishin dalë jashtë.
Menjëherë u njoftua policia dhe 4-vjeçarja u dërgua në qendrën shëndetësore të ishullit, ku mjekët tentuan ta rikthenin në jetë, por nuk ia dolën.

