Reuten: Formojeni qeverinë që t’ju ndihmojmë për anëtarësim në BE dhe KiE
Deputeti i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, ka vlerësuar se vonesa në krijimin e qeverisë së re në Kosovë është e dëmshme për vendin. Në një intervistë për Klan Kosova, ai theksoi se Kosova është vetë përgjegjëse për situatën politike dhe se qytetarët kanë arsye të kërkojnë formimin e institucioneve.
Reuten tha se pret që liderët politikë ta zgjidhin shpejt këtë çështje, duke nënvizuar se një qeveri funksionale është e domosdoshme për mbështetjen e Kosovës në proceset ndërkombëtare, përfshirë aplikimin në Këshillin e Evropës, heqjen e sanksioneve dhe avancimin drejt BE-së.
‘Sikurse e kam thënë disa herë më parë, mendoj se një vend së pari duhet ta shohë interesin e vet. Dhe Kosova është përgjegjëse për situatën e brendshme politike dhe po, patjetër, kur nuk keni ende një qeveri pas mbajtjes së zgjedhjeve, dhe sa më shumë që kjo të zgjasë, do t’u japë njerëzve poashtu arsye për të kërkuar formimin e Qeverisë’, u shpreh Reuten.
‘U mbetet politikanëve të bëjnë çfarë kanë në dorë në bazë të mandatit, dhe është e rëndësishme që të keni sa më shpejt qeverinë për ta zgjidhur situatën sepse atëherë ne si Parlament Evropian mund të fillojmë ta mbështesim sërish Kosovën në aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe poashtu për heqjen e atyre sanksioneve qesharake që akoma janë në fuqi karshi Kosovës, e poashtu edhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian’.
