"E kishte parashikuar vdekjen e tij", nëna e themeluesit të grupit Wagner: Ai nuk kishte asnjë qëllim për të rrëzuar presidentin rus

Nëna e Yevgeny Prigozhin, themeluesit të grupit mercenar Wagner, ende pas 2 vitesh, nuk ka arritur të mësojë nga autoritetet se çfarë i ka ndodhur atij.

Në një intervistë të dhënë për faqen ruse të internetit Fontanka, 85-vjeçarja Violetta Prigozhin theksoi se djali i saj "dukej i dënuar" pas lëvizjes anti-Kremlin. Një javë para se avioni i tij të rrëzohej, i cili vrau nëntë persona të tjerë, ai i kishte thënë nënës së tij se priste të vdiste. E pyetur nëse ajo e kishte parashikuar vdekjen e tij, Prigozhin u përgjigj: "Sigurisht".

Prigozhin, e cila drejton një galeri arti pro-luftës, tha se u përpoq ta bindte të birin të mos shkonte në Moskë. Ajo madje e paralajmëroi se ai e kishte mbivlerësuar shkallën e mbështetjes së tij.

Edhe pse asnjë politikan i madh nuk e ka mbështetur kryengritjen e Prigozhinit, sondazhet kanë treguar se retorika e tij ka gjetur jehonë tek rusët. Dhe kur forcat Wagner morën kontrollin e instalimeve të mëdha ushtarake në Rostov-on-Don, Prigozhini u prit ngrohtësisht nga vendasit. 

Nëna e themeluesit të Wagner është shprehur, se djali i saj nuk kishte absolutisht asnjë qëllim për të rrëzuar presidentin rus, por donte vetëm të komunikonte me udhëheqjen ushtarake.

Prigozhin, aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, për kohë të gjatë, vdiq bashkë me nëntë persona tjerë, si pasojë e rrëzimit të një aeroplani në gusht të vitit 2023, dy muaj pas nisjes së një rebelimi të Wagnerit kundër udhëheqjes ruse. 

Agjencitë perëndimore të inteligjencës besojnë se rrëzimi ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një shpërthim në aeroplan, i urdhëruar nga Vladimir Putin, në hakmarrje për kryengritjen.