Kim Jong Un dekoron ushtarët koreano-veriorë që luftuan përkrah forcave ruse: Treguam sa të fortë jemi

Në Phenian është mbajtur një ceremoni zyrtare për nder të ushtarëve koreano-veriorë që morën pjesë në luftimet përkrah forcave pushtuese ruse në Ukrainë.

Ngjarja u zhvillua në selinë e Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë, ku morën pjesë komandantë të lartë, trupa ushtarake dhe familjarë të të rënëve.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dekoroi personalisht ushtarët dhe i quajti ata “shembull trimërie dhe sakrifice”. Sipas tij, pjesëmarrja e tyre në konflikt përbën një dëshmi të forcës së Koresë së Veriut dhe të vendosmërisë së saj për të dalë fitimtare në çdo luftë.

“Ushtarët tanë i treguan botës pse Republika Popullore Demokratike e Koresë është e fortë dhe pse fitorja jonë është e pashmangshme”, u shpreh Kim gjatë fjalës së tij.

Ky veprim shihet si një sinjal i qartë i forcimit të aleancës mes Phenianit dhe Moskës, në një kohë kur Rusia vijon agresionin e saj në Ukrainë dhe përballet me izolim të thelluar ndërkombëtar.

Përmes ceremonisë, regjimi koreano-verior synon të theksojë lidhjen strategjike me Kremlinin, duke e paraqitur atë si një bashkëpunim të natyrshëm mes dy vendeve të izoluara nga Perëndimi.