KRIMI I 36 VITEVE MË PARË! Refuzohet liria për Erik Menendez, gjykatësi: Nuk je gati për shoqërinë
Erik Menendez, njëri nga vëllezërit famëkeq që tronditën SHBA-në me vrasjen brutale të prindërve të tyre në Beverly Hills në vitin 1989, u refuzua për lirim me kusht nga bordi kalifornian i faljeve 36 vite pas krimit makabër.
Pas më shumë se tre dekadash prapa hekurave, një nga vëllezërit famëkeq Erik Menendez është përballur sot me një tjetër refuzim për lirim me kusht.
Bordi i Faljeve në Kaliforni vendosi, pas një seance maratonë që zgjati mbi 10 orë, se 54-vjeçari ende përbën rrezik për shoqërinë.
Në vendimin e tij, komisioneri Robert Barton u shpreh: “Besojmë në pendesë dhe shpëtim, por në bazë të standardeve ligjore, ju nuk jeni ende gati për shoqërinë.”
Gjatë seancës, Erik shpërtheu në lot teksa kujtonte natën e 20 gushtit 1989, kur ai dhe vëllai i tij Lyle vranë prindërit, Jose dhe Kitty Menendez, në shtëpinë luksoze të familjes në Beverly Hills.
Vëllezërit kanë pretenduar prej vitesh se vepruan në vetëmbrojtje, duke akuzuar prindërit për abuzime seksuale dhe emocionale, por prokuroria dhe gjykatat kanë mbajtur qëndrimin se bëhej fjalë për një vrasje të ftohtë për përfitime financiare.
Bordi përmendi edhe shkelje të shumta gjatë vuajtjes së dënimit, përfshirë përleshje në burg dhe posedim të sendeve të ndaluara, si celularë, duhan dhe mjete arti.
Në një moment prekës, tezja e Erikut, Teresita Menendez, e diagnostikuar me kancer në fazën e katërt, shprehu falënderimin e saj dhe dëshirën për ta përqafuar nipin sërish.
Ndërkohë, Lyle Menendez pritet të ketë dëgjesën e tij për lirim me kusht të premten. Po ashtu, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, po shqyrton një kërkesë për falje nga vëllezërit, çështje që ka ndezur debat të gjerë, sidomos pas suksesit të serialit të Netflix “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story”.
Historia e dy vëllezërve të pasur që vranë prindërit e tyre vijon të tronditë Amerikën edhe pas 36 vitesh.

