Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kinë/ Xi Jinping pret Putinin, Guterres dhe mbi 20 liderë botërorë

Presidenti kinez, Xi Jinping, do të presë këtë muaj homologun e tij rus, Vladimir Putin, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, si edhe më shumë se 20 udhëheqës shtetesh e qeverish në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Samiti i SCO do të zhvillohet në qytetin Tianjin më 31 gusht dhe 1 shtator, vetëm pak ditë përpara paradës së madhe ushtarake në Pekin, që do të mbahet për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Organizata përfshin 10 vende anëtare, mes tyre Kinën, Rusinë, Iranin, Indinë, Pakistanin dhe disa shtete të Azisë Qendrore. Qëllimi i saj është të shërbejë si kundërpeshë ndaj strukturave perëndimore dhe të forcojë bashkëpunimin politik, të sigurisë, luftën kundër terrorizmit dhe marrëdhëniet tregtare mes vendeve anëtare.

Sipas zëvendësministrit kinez të Jashtëm, Liu Bin, samiti do të jetë më i rëndësishmi që prej themelimit të SCO-së, duke theksuar pjesëmarrjen e liderëve të tillë si kryeministri indian, Narendra Modi, dhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Të pranishëm pritet të jenë gjithashtu presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe lideri bjellorus, Alexander Lukashenko. Xi do të mbajë një fjalim në samit, ku marrin pjesë edhe krerët e organizatave ndërkombëtare si Guterres.

Pekini shpreson që përmes këtij takimi të forcohet dinamika e bashkëpunimit dhe që, falë stabilitetit e qëndrueshmërisë së SCO-së, vendet anëtare të përballen me pasiguritë e skenës ndërkombëtare dhe të krijojnë një mjedis të qëndrueshëm paqeje.

“Edhe sot, mentalitetet e vjetra të hegjemoniës dhe politikës së forcës mbeten të pranishme. Disa vende përpiqen t’i vendosin interesat e tyre mbi ato të të tjerëve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin global. Sa më komplekse dhe të trazuara bëhen zhvillimet ndërkombëtare, aq më shumë vendet duhet të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin për të nxitur zhvillimin e përbashkët”, përfundoi ai.