A e çoi “fraksioni” Arbër Veliajn në SPAK?
Vëllai i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Arbër Veliaj u paraqit këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme, ku qëndroi gjatë për t’u marrë në pyetje.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, ai ndoqi modelin e vëllait të tij, kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, duke u shprehur se shkoi vullnetarisht në SPAK për të shprehur bashkëpunimin e tij me këtë institucion.
“Erdha vullnetarisht për të shprehur bashkëpunimin tim me këtë institucion”,-ka thënë Arbër Veliaj.
Kujtojmë se edhe Erion Veliaj në kohën kur u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK-ut shprehej se kishte shkuar vetë në SPAK për të bashkëpunuar me ata që ai dikur i quante “kolegë” dhe pas arrestimit të tij i sulmoi brutalisht.
Në 30 prill të 2024, Erion Veliaj dëshmoi përreth 7 orë në SPAK dhe nuk pranoi se ishte thirrur si person në hetim, por si person në dijeni me dëshirën për të bashkëpunuar me drejtësinë.
“Falënderoj kolegët e SPAK-ut, një institucion që unë nuk kisha pas të bëja më parë. Isha me dy kolegë hetues, profesionistë dhe unë them që ne duhet t’i forcojmë institucionet. Isha këtu si bashkëpunëtor. Të dy kolegët hetues më kanë kërkuar që për çështje të hetimit dhe për çështje të sekretit hetimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka sjellë dhe disa prova të tjera, m’u kërkua dashamirësisht që të mos i ndaj me gazetarët. Do të jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time”,-tha Veliaj asokohe.
Megjithëse për muaj të tërë Veliaj tha se ndaj tij nuk kishte një hetim, por po shikoheshin disa dosje të bashkëshortes, megjithëse tha se nuk ishte marrë kurrë në akuzë, megjithëse tha se i kishte kolegë prokurorët e SPAK-ut, Veliaj sot qëndron në paraburgim dhe ndaj tij rëndojnë 13 akuza të rënda penale.
Sikurse Erioni edhe vëllai i tij Arbër Veliaj nuk shkoi kot dhe nga dëshira në SPAK. Është hapur një fraksion i ri hetimor dhe kjo duket se e shqetëson shumë Erion Veliajn.
Në një dokument ku kërkonte pavlefshmërinë e hetimeve, ajo që ra në sy ishte fraksioni.
“Regjistrimi i një ‘fraksioni’ me qëllim mosgarantimin e të drejtave procedurale. Në mënyrë të qëllimshme dhe të paramenduar, prokurorët e çështjes kanë përdorur një artificë procedurale, të paparashikuar në legjislacioni procedural në fuqi, për të zgjatur në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme fazën e hetimeve paraprake, duke regjistruar një ‘fraksion’ brenda të njëjtit procedim penal, por pa identifikuar asnjë person konkret ndaj të cilit atribuohet vepra penale. Kjo manovër ka shërbyer për t’i dhënë pamjen e një procedimi të ligjshëm një veprimtarie të papërputhshme me standardet kushtetuese dhe procedurale që rregullojnë nisjen dhe zhvillimin e hetimeve penale”, thuhej në dokumentin 77-faqësh.
Duket se halli i Veliajt është vërtet fraksioni, sepse te fraksioni, kuptohet lehtësisht nga aktet e para të çuara në gjykatë, qëndrojnë paratë, qëndron vëllai i tij, Arbër Veliaj. Kjo forcon dyshimet se vëllai i kryebashkiakut nuk shkoi me dëshirën e tij të enjten në SPAK, por u thirr nga prokurorët për të dhënë llogari në lidhje me hetimet.
Arbër Veliaj është një individ që ka qarkulluar miliona e miliona euro. Ai ka paguar me qindra miliona lekë mediat dhe gazetarët pro-Veliajt . Pra, fraksioni është problem dhe fraksioni lidhet ,e Arbër Veliajn.
Për Erionin është shqetësim i madh t’i preket burimi që financon mediet për propagandën e tij të sëmurë. Mbetet për t’u parë fraksioni. Ekzistenca e këtij fraksioni është konfirmuar edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Në një takim me dyer të mbyllura me gazetarët, ai ka deklaruar se dosja Veliaj është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale.
Pra, është vetëm çështje kohe të mësohen edhe akuzat që rëndojnë mbi vëllain e kryebashkiakut të arrestuar, Arbër Veliajn, njësoj sikurse ndodhi edhe me Erionin, hapat e të cilit duket se ka nisur të ndjekë në prononcimet e tij publike për mediet./CNA

