“SHBA të përparojë në industrinë e çipave”/ Qeveria amerikane planifikon të marrë 10% të aksioneve të Intel
Qeveria e SHBA-së po planifikon të marrë 10% të aksioneve të Intel për ta ndihmuar kompaninë të forcohet në konkurrencën globale të prodhimit të çipave. Qellim mbetet përparimi në teknologjinë e avancuar si Inteligjenca Artificiale.
Shtëpia e Bardhë thotë se qeveria po mendon të marrë 10% të aksioneve të Intel, një nga kompanitë më të mëdha dhe më të njohura në botë që prodhon çipa kompjuterikë për funksionimin e telefonave, kompjuterëve dhe shumë pajisjeve te tjera.
Qeveria amerikane synon që Intel të forcohet dhe të jetë më konkurruese ndaj kompanive të tjera të mëdha që prodhojnë çipa për teknologji të avancuara, si inteligjenca artificiale.
Sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Karoline Leavitt, thekson se presidenti Donald Trump dëshiron të vendosë në radhë të parë në këtë sektor nevojat e Amerikës, si nga aspekti i sigurisë kombëtare, ashtu edhe ai ekonomik.
Marrëveshja që po diskutohet ka për qëllim të ndihmojë Intel të ndërtojë një qendër të madhe prodhimi në shtetin Ohio, e cila do të forcojë kapacitetet e prodhimit të kompanisë në SHBA.
Intel është ndër pak filialet amerikane që mund të prodhojë çipa shumë të avancuar në sasi të mëdha, por kohët e fundit ka mbetur pas rivalëve të saj globalë si Nvidia dhe Samsung.
Ekspertët thonë se përfshirja e qeverisë në aksionet e kompanisë mund të sjellë pasiguri për të tjera kompani që marrin grante qeveritare dhe mund të bëjë më të vështirë menaxhimin e Intel, pasi pjesëmarrja e shtetit në pronësi mund të ndikojë në mënyrën se si drejtohet biznesi.

