SERBIA LIRON DY SHQPTARËT/ U ndaluan nën dyshimin për krime lufte, autoritetet lënë të lirë vëllezërit

Dy shtetasit e Kosovës, Bashkim dhe Xhemajl Emini, janë liruar nga autoritetet serbe pas disa ditësh ndalim nën dyshimin për krime lufte si pjesëtarë të UÇK-së. Ata u arrestuan më 14 gusht në kufirin Serbi-Hungari, por familjarët konfirmuan se tashmë janë të sigurt në Gjermani. Ministria e Jashtme e Kosovës ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar.

Dy shtetas të Kosovës të arrestuar në Serbi me dyshime për krime lufte, si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë lënë të lirë!

Familjarët konfirmuan se Bashkim dhe Xhemajl Emini tashmë janë pranë tyre në Gjermani, ku edhe jetojnë

Vëllezërit Emini u arrestuan më 14 gusht në pikën kufitare të Horgoshit, mes Serbisë dhe Hungarisë.

Autoritetet serbe pretenduan se ata dyshoheshin për rrëmbimin e një shtetasi serb në Rahovec në vitin 1999, një akuzë që familja e hedh poshtë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht lirimin e tyre, por Prishtina i ka konsideruar gjithmonë të tilla ndalime si arbitrare.

Në muajt e fundit, Serbia ka shtuar arrestimet e shtetasve kosovarë, duke i akuzuar për bashkëpunim ose pjesëmarrje në UÇK.

Lirimi i vëllezërve Emini vjen mes tensioneve të vazhdueshme mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa familjarët shpresojnë që kjo të jetë hera e fundit që përballen me një situatë të tillë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës mungon.