Aksident në Kosovë, ndërron jetë një person, pesë të lënduar

Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar në një aksident rrugor në Klinë të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Spitali i Pejës, i cili konfirmon se të lënduarit po marrin trajtimin e duhur mjekësor

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në fshatin Dollc të Klinës, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një person pa shenja jete.

Gjithashtu, deri më tani kemi pranuar 5 persona të lënduar nga ky aksident, të cilët po trajtohen dhe po marrin kujdesin e nevojshëm nga ekipet tona shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Ngjarja e rëndë po ashtu u konfirmua dhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai shtoi se janë përplasur një autoveturë dhe një autobus, mëngjesin e kësaj të enjteje.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në terren dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.