Vijojnë bisedimet në Uashington për sigurinë e Ukrainës me shefat e shtabeve të disa vendeve të NATO-s
Shefat e shtabeve të një grupi të vogël vendesh aleate po vazhdojnë bisedimet në Uashington mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, bëri të ditur një zyrtar perëndimor për agjencinë Reuters.
Më herët, ishte zhvilluar një videokonferencë mes shefave të shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s, e cila tashmë ka përfunduar.
Sipas burimit, gjenerali amerikan Dan Kaine, kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, po pret takimin në Uashington, ku marrin pjesë edhe homologët e tij nga gjashtë vende të tjera anëtare të NATO-s.
Zyrtari perëndimor theksoi se ende nuk ka rezultate konkrete, pasi çështja e garancive të sigurisë nuk është trajtuar në detaje gjatë videokonferencës së mbajtur më herët të mërkurën. Ai shtoi se priten takime të tjera me të gjithë drejtuesit ushtarakë për të diskutuar opsionet që po shqyrtohen nga ky grup më i vogël.
Nuk është caktuar ende një afat kohor për përfundimin e bisedimeve, pasi vendimi përfundimtar do të merret nga udhëheqësit politikë, përfundoi zyrtari.
