Projekti për të studiuar “balenën e spermës”
Një ekip kërkimor po kryen një studim me anë të dronëve për balenat e spermës, ose siç njihen ndryshe, kashalotët. Kjo është një teknikë e re, më e shpejtë se ato tradicionale dhe mjaft miqësore me jetën detare.
Një metodë inovatore, e cila synon të monitorojë me dronë balenat e spermës, po vihet në zbatim në Dominika, i njohur si ishulli natyror i Karaibeve.
Ekipi kërkimor po studion komunikimin e balenave kashalot duke përdorur teknologji jo-invazive për të kuptuar sjelljen e tyre dhe për të mbështetur ruajtjen e ekosistemeve detare. Sipas tyre, kjo është një alternativë më e shpejtë se teknikat tradicionale.
David Gruber – Presidenti i projektit: “Projekti me dron ‘Tap and go’ është një mënyrë e re për të vendosur një kompjuter të vogël në shpinen e një balene. Përdorim syze speciale, dhe një operator i dronit realizon këtë ndërhyrje me një prekje të lehtë.”
Dronët, të përshtatur për të përballuar ujërat, mbajnë etiketa që ngjiten në shpinën e një balene për një mesatare prej një minute e 50 sekonda, duke garantuar një sukses deri në 55%. Kjo është shumë më e shpejtë se metodat që përdoheshin më parë.
“Për dekada kemi menduar se si mund të përdorim robotët për të ndërvepruar me jetën detare në mënyrën më të kujdesshme të mundshme. Është një ndryshim i madh. Po bëhemi akoma më të kujdesshëm ndaj mjedisit ndërsa vijojmë kërkimet.”
Kashalotët janë gjitarë detarë të familjes Physeteridae, të ndryshëm nga balenat e tjera. Karakterizohen nga balli dhe dhëmbët e mëdhenj, duke qenë grabitqarë kryesorë në oqean. Në dietën e tyre ushqimore janë zgjedhës, pasi preferojnë kallamarët gjigantë dhe peshqit.
