Zhvati ish-punëdhënësin e tij duke i kërkuar shuma parash, arrestohet 30-vjeçari shqiptar në Itali

Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohet për zhvatje të rënduar ndaj ish-punëdhënësit të tij. Sipas mediave vendase hetimi ka nisur pas kallëzimit të një sipërmarrësi vendas në sektorin bujqësor, i cili deklaroi se ishte viktimë e zhvatjes së vazhdueshme nga ish-punëtori i tij.

I riu shqiptar kishte kërkuar para në mënyrë të përsëritur për më shumë se dy vite, duke kërcënuar me pasoja fizike dhe dëmtim të mjeteve të punës nëse nuk paguhej. Shumat e kërkuara luhateshin nga 2.500 deri në 4.000 euro, dhe kërkesat përsëriteshin çdo 30 deri në 40 ditë.

Autoritetet organizuan operacion të posaçëm për të ndjekur nga afër dorëzimin e kontrolluar të shumës prej 1.400 eurosh, që ishte kërkuar së fundmi nga i dyshuari. Operacioni u zhvillua pranë një parkingu afër një lokali të njohur në provincën e Raguzës. Agjentët e skuadrës hetimore dhe të policisë shkencore dokumentuan të gjitha fazat e dorëzimit të parave.