Izraeli miraton projektin e vendbanimeve që mund të ndajë Bregun Perëndimor

Izraeli dha sot miratimin përfundimtar për një projekt të diskutueshëm vendbanimesh në Bregun Perëndimor, që në fakt do ta ndante territorin në dy pjesë dhe që palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se mund të shkatërrojë shpresat për një shtet të ardhshëm palestinez, sipas “AP”-së

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, një ish-udhëheqës i kolonëve, e quajti miratimin si një “qortim” ndaj vendeve perëndimore, të cilat  njoftuan planet e tyre për të njohur një shtet palestinez në javët e fundit.

“Shteti palestinez po fshihet nga tryeza jo me slogane, por me veprime”, tha sot ai. “Çdo vendbanim, çdo lagje, çdo njësi banimi është një tjetër gozhdë në arkivolin e kësaj ideje të rrezikshme”, tha ai.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e hedh poshtë idenë e një shteti palestinez përkrah Izraelit dhe është zotuar të ruajë kontrollin e pakufizuar mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, Jerusalemin lindor të aneksuar dhe Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta, territore  këto të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Zgjerimi i vendbanimeve nga Izraeli është pjesë e një realiteti gjithnjë e më të tmerrshëm për palestinezët në Bregun Perëndimor, ndërsa vëmendja e botës përqendrohet në luftën në Gaza.

Ka pasur rritje të dukshme të sulmeve nga kolonët ndaj palestinezëve, dëbimeve nga qytetet palestineze, operacioneve ushtarake izraelite dhe pikave të kontrollit që pengojnë lirinë e lëvizjes, si dhe disa sulmeve palestineze ndaj izraelitëve.

Më shumë se 700 000 kolonë izraelitë tani jetojnë në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor. Plani ka qenë në shqyrtim për dy dekada, por është ngrirë për shkak të presionit të SHBA -së.