Plagosje me armë zjarri në Durrës/ Qëllohet me dy plumba një person, autori largohet nga vendngjarja

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Hamallajt në Durrës. Sipas informacioneve paraprake, një person, Liridon Rata është qëlluar me dy plumba, taksa ai ndodhet në gjende të rëndë.

Gjithashtu bëhet me dije se autori i ngjarjes është larguar menjëherë nga vendngjarja dhe dyshohet se ka përdorur një automjet tip “Toyota Yaris”. Sakaq, forcat e Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Sipas burimeve policore të pakonfirmuara zyrtarisht, dyshohet se autori është shtetasi me inicialet A.L. Postblloqe janë ngritur në rrugën që lidh Hamallajn me autostradën Durrës Tiranë, si dhe në këtë aks kombëtar drejt të cilit dyshohet se ka lëvizur autori pas krimit.

Njoftimi i policisë: 

U konfliktuan për motive të dobëta, plagosi me armë zjarri 28-vjeçarin, Policia identifikon dhe shpall në kërkim 44-vjeçarin.  Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij.

Rreth orës 16:40, në Hamallaj, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. L., 44 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin L. R., 28 vjeç, i cili ndodhet në spital, në gjendje kritike për jetën.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftimin, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, kanë identifikuar autorin dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku dyshohet se mund të jetë fshehur 44-vjeçari. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.