Mema: Putini pret 'udhëheqësin e përshtatshëm' në Ukrainë për paqe përfundimtare. Zelenskyn e sheh si president jo legjitim

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema analizoi zhvillimet e fundit mes Ukrainës, Rusisë dhe diplomacisë perëndimore.

"Unë personalisht do të isha i surprizuar nëse takimi do të ndodh brenda dy javësh.

 Mendoj që ishte vizita e europianëve dhe Zelenskyt me Shtetet e Bashkuara ishte e llogaritur për të ndaluar gjakderdhjen nëse mund ta themi në këtë mënyrë, pra që Zelenskyt mos ti imponohet një lloj zgjidhje diplomatike që është në dëm të interesave të Ukrainës, por përtej saj nuk besoj se diplomacia e fundjavës doli në një rezultat të papritur.

Në lidhje me vizitën midis Zelenskyt dhe Putinit nëse nuk ke propozime konkrete nga të dyja palët në lidhje me një paqe të mundshme atëhere është shumë e vështirë për të menduar se çfarë mund të bënte një takim i tillë.

Në fakt edhe vetë Putini ka paralajmëruar që ai është i gatshëm të nënshkruaj një paqe përfundimtare me Ukrainën dhe me udhëheqësin e përshtatshëm të Ukrainës kur të vij ai moment.

E shikon Zelenskyn si një president jo legjitim meqe ka kaluar dhe afati kushtetues në lidhje me termin e tij si president i Ukrainës", u shpreh Mema.